
Vllaznia në futboll për femra, këtë fundjavë do të shpallet zyrtarisht Kampione e Shqipërisë për sezonin 2013-14. Ajo ka dy javë që e ka siguruar edhe matematikisht titullin megjithatë duhet luajtur ndeshja e fundit për ta vulosur përfundimisht këtë gjë. Në fakt, ende nuk ka një datë të saktë të përcaktuar për këtë ndeshje të fundit. Kjo ngaqë, takimi me ekipin e Dajtit është planifikuar për t’u luajtur ditën e shtunë megjithatë po këtë ditë, siç dihet është planifikuar për t’u luajtur edhe ndeshja e djemve të Vllaznisë ndaj Kastriotit në Krujë. Duke qenë kështu, sigurisht që të gjithë drejtuesit e klubit shkodran do jenë në Krujë dhe prandaj presidentit I ekipit të femrave Lazer Matija, I ka kërkuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të futbollit ta luajë ndeshjen me Dajtin ditën e premte. Kjo kërkesë nuk është miratuar fillimisht megjithatë ka sërish negociata mes palëve dhe mbase ditën e nesërme do të vendoset gjithçka. E rëndësishme është që kupa për ekipin kampion dhe medaljet për pjestarët e tij, tashmë janë bërë dhe janë bërë gati të nisen drejt Shkodrës. Vllaznia në fakt e ka merituar këtë titull. Në 17 ndeshjet e luajtura deri tani në kampionat, ka 16 fitore dhe vetëm 1 barazim, me një golaverazh shumë pozitiv, prej 86 golash të shënuar dhe vetëm 9 të pësuar. Ky natyrisht që është një sukses I të gjitha vajzave të këtij ekipi, I trajnerit Selami pepaj dhe mbi të gjitha I presidentit Lazer Matija që ka investuar shumë për të. Në fakt edhe vajzat ia kanë shpërblyer. Dy muaj më parë ata fituan Kupën e Shqipërisë ndërkohë që këtë fundjavë marrin edhe trofeun e titullit kampion. Natyrshëm që nuk ka ku shkon më bukur.
www.shkodrasport.com