Volejbollistet shkodrane të drejtuara nga trajneria Sadije Gogaj ka arritur një fitore shumë të bukur sot në ndeshjen e rradhës ndaj Studentit. Rezultati përfundimtar ka qenë 3-1 për Vllazninë. Takimi ka qenë i vlefshëm për javën e dytë të Volej Liga ku ajo merr pjesë sëbashku me Partizanin, Studentin e Minatorin. Në javën e parë, shkodranet u mundën nga Partizani ndërsa sot morën fitoren e parë në këtë tur të kampionatit. Ndaj Studentit, volejbollistet e Vllaznisë e nisën me fitore që në setin e parë që e përfunduan në shifrat 25-16. Në të dytin ndërkohë sërish fitore për ta në shifrat 25-20 ndërsa në të tretin janë vajzat studente nga Tirana që fituan me rezultatin 25-22. U krijua përshtypja për pak minuta se do kishim një barazim setesh por nuk do ndodhte kështu sepse Vllaznia do të fitonte në setin e katërt 25-18 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Me këtë fitore, ajo duket në rrugë të mbarë për të ngjitur edhe një vend në shkallën e renditjes. Që do të thotë për ta mbyllur kampionatin në vendin e shtatë. Të paktën këtë ka deklaruar trajneria Gogaj si objektiv të këtij sezoni ndërsa për sezonin e ardhshëm, pretendimet do të jenë më të larta.
www.shkodrasport.com