Pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës është luajtur ndeshja e vlefshme për javën e parë të fazës së dytë të kampionatit kombëtar të basketbollit për femra në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Kamza Basket. Vajzat shkodrane nën drejtimin e trajnerit Rajmond Rasha shpresonin tek një sukses i mundshëm në këtë ndeshje në mënyrë që ata të kishin shanset e tyre për një vend në katërshen e ekipeve më të mira, por nuk ka ndodhur kështu. Miket të drejtuara nga trajneri i tyre, shkodrani Zenel Vekshari e kanë filluar ndeshjen duke e udhëhequr që në fillim atë dhe e kanë mbyllur periodën e parë në shifrat 23-14 në favor të tyre. Pritej që Vllaznia të reagonte në të dytën por nuk ka ndodhur kështu, madje ky 10 minutësh ka qenë më i dobëti për ta, i humbur 8-17 dhe këtu morën fund shpresat e saj për fitore. Ndonëse në periodën e tretë, shkodranët fituan 23-17 sërish epërsia ka qenë në anën e ekipit Kamza Basket që ka fituar edhe periodën e katërt 25-18 dhe krejt ndeshjen 82-63. Me këtë humbje, Vllaznia vazhdon të mbajë vendin e pestë në renditje ndërsa Kamza Basket është pozicionuar në të tretin.

www.shkodrasport.com