Ekipi i Vllaznisë në volejboll për femra është mundur edhe në ndeshjen e dytë të play-off-it nga Teuta dhe në këtë mënyrë ka hequr dorë nga vazhdimi i mëtejshëm i kampionatit. Pas humbjes në ndeshjen e parë në Durrës me rezultatin 3-0, sot pasdite është luajtur ndeshja e dytë në Shkodër me këtë skuadër. Ajo është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe në fakt nuk ka patur shumë rivalitet.


Seti i parë është mbyllur me fitoren e vajzave durrsake me rezultatin 25-17, në të dytin përmirësohet disi loja e Vllaznisë por sërish humbje, këtë herë në shifrat 25-18 ndërsa në setin e tretë gjithçka mbyllet shpejt, 25-12 dhe në këtë mënyrë Teuta ka fituar krejt ndeshjen me rezultatin 3-0 duke u kualifikuar kështu për në katërshe dhe për të vazhduar pretendimet e saj. Vllaznia ndërkohë i ka dhënë fund kampionatit për këtë sezon teksa në përfundim të dy fazëve të kampionatit u rendit në vendin e gjashtë, një sukses ky për këtë skuadër e cila ka në përbërjen e saj vajza me moshë shumë të re. Megjithatë trajneria Sadije Gogaj ka premtuar se sezonin e ardhshëm gjërat do jenë më ndryshe dhe pretendimet e Vllaznisë do jenë për më lart.
www.shkodrasport.com