Vllaznia në basketboll për meshkuj vazhdon të fitojë dhe të udhëheqë renditjen e kampionatit me pikë të plota duke u rikonfirmuar si kandidatja kryesore për fitimin e titullit kampion edhe në këtë sezon. Pasditen e djeshme ajo ka fituar në Tiranë ndaj Partizanit me rezultatin 79 me 52. Epërsia e kuqebluve ka qenë e plotë. Ato kanë fituar periodën e parë në shifrat 24 me 11 dhe po ashtu edhe të dytën me rezultatin 21 me 13. Në këtë mënyrë, të dy ekipet kanë shkuar në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 21 pikësh në favor të Vllaznisë.

Kjo epërsi ka ardhur duke u thelluar edhe në dy periodat e tjera, të fituara edhe ato nga shkodranët, në të tretën me rezultatin 15 me 12 dhe po ashtu edhe në të katërtën me rezultatin 19 me 16. Në këtë mënyrë, kuqeblutë e trajnerit Bledar Gjeçaj kanë arritur të fitojnë 79 me 52. Kjo ka qenë fitorja e pestë e ekipit shkodran në po kaq ndeshje të luajtura në fazën e parë teksa I ka mundur nga një herë të gjithë ekipet pjesmarrëse. Ai kryeson renditjen me pikë të plota, 10.  Me këtë ecuri duket qartë se Vllaznia do të vazhdojë rrugën e saj drejt fitimit të titullit kampion edhe në këtë sezon sepse ka përbërjen më të mirë dhe po ashtu edhe tifozët më të zjarrtë që e mbështesin kudo. Ndërkohë në basketboll për femra, Vllaznia ka luajtur në Elbasan ndaj skuadrës vendase dhe është mundur me rezultatin 84 me 77. Në krahasim me meshkujt, ecuria e ekipit të femrave vazhdon të mos jetë e mirë dhe ai renditet në vendin e 7 ndër 9 ekipet pjesmarrëse.