Një fitore përgjithësisht e lehtë ka qenë ajo që ka arritur ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë ndaj Partizanit. Takimi i vlefshëm për kampionatin kombëtar ëstë luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Ai ka qenë i dominuar gjatë gjithë kohës nga vendasit të cilët e kishin parashikuar një takim të lehtë këtë ndaj skuadrës së kuqe. Prandaj trajneri Bledar Gjeçaj u ka dhënë mundësinë të gjithë sportistëve të luajën në këtë ndeshje. Ka mjaftuar 10 minutëshi i parë për të vendosur epërsinë e madhe. Ai mbyllet në shifrat 18-4 ndërsa është thelluar shumë më tepër në periodën e dytë që mbyllet 30-11. Pas këtij momenti, shkodranët më tepër janë kujdesur për të bërë manovrat e tyre në fushën e lojës sesa për të fituar thellësisht. Megjithatë edhe në periodën e tretë ata kanë fituar 21-12 ndërsa në të katërtën ka qenë Partizani që ka fituar 23-14. Përfundimisht krejt ndeshja është mbyllur me rezultatin 83-50 në favor të Vllaznisë që arrin një tjetër fitore dhe bëhet gati gradualisht për sfidën e madhe, atë të pas dy javëve me Klubin Tirana që do të luhet në Shkodër, një sfidë kjo që do vendosë fatin e skuadrës së vendit të dytë në renditje.
www.shkodrasport.com