www.shkodrasport.com
Vllaznia për meshkuj mundet në Shkodër nga Flamurtari
Basketbollistët e Vllaznisë janë mundur pasditen e sotme brenda në Shkodër nga ekipi i Flamurtarit. Rezultati përfundimtar i ndeshjes së luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ka qenë 69-80. Në fakt duket disi e papranueshme një humbje e tillë sepse Vllaznia po tregonte një formë përgjithësisht të mirë në këtë kampionat. Perioda e parë e ndeshjes e mbyllur në shifrat 20-13 për Flamurtarin, do tregonte më së miri se shkodranët do ta kishin të vështirë në këtë takim. Djemtë e trajnerit Gjeçaj u munduan të rregullojnë di♪5ka në periodën e dytë teksa e fitojnë atë 22-19 dhe gjysma e parë e ndeshjes gjithsesi mbyllet me katër pikë avantazh për miqtë. Ka shpresa se Vllaznia do ndryshojë diçka për mirë në periodën e tretë por nuk ndodh kështu. Janë vlonjatët që e fitojnë atë 23-15 duke e thelluar avantazhin dhe megjithëse shkodranët fitojnë periodën e katërt 19-18, rezultati përfundimtar i ka buzëqeshur Flamurtarit që ka fituar takimin 80-69. Me këtë fitore, Vllaznia i ka ndërlikuar disi pozitat e saj në vendin e tretë në renditje sepse i dha mundësinë Flamurtarit të vendit të katërt t’i ofrohet me vetëm një pikë tashmë.