
Ekipi I volejbollit të meshkujve të Vllaznisë nuk do të mundet të dalë në finalen e plej- ofit të këtij sezoni. Ai e ka humbur edhe ndeshjen e dytë gjysmëfinale, atë të luajtur pasditen e së premtes në Shkodër me Teutën e Durrësit. Ashtu si në takimin e parë, edhe këtë herë takimi ka patur jo pak rivalitet. Madje ka qenë Vllaznia ajo që e ka nisur më mirë atë teksa ka fituar setin e parë me shifrat 25- 18. U duk se me fitoren e këtij seti gjërat do ishin më të lehta për të por nuk do të ndodhte kështu. Durrsakët nga ana e tyre nuk kishin dëshirë që për të siguruar kalimin në finale, t’ia linin ndeshjes së tretë që do të zhvillohej në qytetin e tyre. Për rrjedhojë, kanë fituar setin e dytë 25- 19 dhe kësisoj setet janë barazuar. Kaq ka mjaftuar që Teuta të ishte më mirë në fushë dhe të dominonte lojën. Ajo e fiton edhe setin e tretë me të njëjtin rezultat 25- 19 ndërsa në të katërtin është Vllaznia që kërkon të barazojë setet megjithatë nuk ia arrin dhe e humb edhe atë 25- 21. Në këtë mënyrë, me rezultatin e përgjithshëm 3 – 1, është ekipi I Teutës që kalon në finalen e plej- ofit për këtë sezon ndërkohë që Vllaznia u mjaftua vetëm me gjysmëfinalen. Sigurisht që trajneri Artan Kalaja dhe sportistët e tij nuk mund të bënin më shumë ndaj një ekip të përforcuar me lojtarë dhe trajner të huaj ndërkohë që ekipit shkodran çdo vit I largohen sportistë. Megjithatë pritet që në sezonin e ri gjërat të jenë më ndryshe teksa është premtuar edhe nga shefi I ri I klubit Vllaznia, ish- volejbollisti I njohur Mark Kroqi se do bëhen ndryshime tek ky ekip, për ta bërë edhe atë pretendent për titullin kampion.
www.shkodrasport.com