Pak kohë më parë FSHF zgjodhi që ndeshjen testuese të “Arenës Kombëtare” ta hapte Vllaznia e femrave, kampionia e padiskutueshme e futbollit shqiptar, që tashmë ka nisur edhe sukseset në Europë duke u kualifikuar në 32 më të mirat e kontinentit.

Përballë Vllaznisë, Federata vendosi që në këtë ndeshje inaguruese të ishte rivalja e saj kryesore në kampionat- Apolonia dhe ndonëse ky takim në kalendar është në javën e tetë, u afru pikërisht për të bërë festën e stadiumit të ri.

Dhe ekipi shkodran nuk zhgënjeu duke mundur 2-0 fieraket dhe tashmë kryeson i vetëm renditjen e kampionatit dhe duke ecur i sigurtë drejt titullit të shtatë kampion rradhazi.

Vllaznia në fakt është ekip për rekorde “Guiness”. “Shkodra Sport” zbulon se ajo ka plot 6 vite që nuk humbet dhe nuk barazon asnjë ndeshje. I fundit dhe i vetmi në këto shtatë kampionatet e deritanishme ka qenë barazimi 1-1 ndaj Tirana AS në kryeqytet. Asnjë ndalesë tjetër dhe që nga 5 tetori i vitit 2013 ka vetëm fitore.

Deri më tani shifra ka shkuar në 119 fitore rradhazi në po kaq ndeshje të luajtura. Po ashtu më interesant është golaverazhi i ekipit shkodran në këto ndeshje: Ka shënuar plot 853 gola dhe ka pësuar vetëm 24. Shifra këto vërtetë për rekorde dhe me siguri që Vllaznia e Lazer Matisë do t’i çojë edhe më tutje.

Statistika
2019- 2020 5 ndeshje (+ 5= 0- 0. Gol: 39-0)

2018- 2019 22 ndeshje (+22= 0- 0. Gol: 149-3)

2017- 2018 20 ndeshje (+20= 0- 0. Gol: 131-1)

2016- 2017 18 ndeshje (+18= 0- 0. Gol: 153-1)

2015- 2016 18 ndeshje (+18= 0- 0. Gol: 134-2)

2014- 2015 22 ndeshje (+22= 0- 0. Gol: 169-10)

2013- 2014 14 ndeshje (+14= 0- 0. Gol: 78-7)

Totali: 119 ndeshje (+119=0- 0. Gol: 853-24)