13 ndeshje, 13 fitore në kampionat për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Sigurisht që kjo është një paraqitje shumë e suksesshme e tij dhe jo më kot, ai kryeson me meritë renditjen e kampionatit. Fitorja e fundit me Tiranën brenda në kryeqytet javën që shkoi, e ka hipotekuar thuajse 100 për qind vendin e parë para ndeshjeve të plej- ofit. Trajneri Bledar Gjeçaj, në një intervistë për gazeten www.shkodrasport.com është shprehur i kënaqur me një ecuri të tillë por ka thënë se nuk mjafton.


“Fitorja me Tiranën ka qenë me shumë vlerë për ne. Jo se ruajtëm pathyeshmërinë në kampionat por sepse arritëm të përmbysim shifrat sepse në fillim ishim deri në 18 pikë disavantazh. Megjithatë nuk duhet të kënaqemi me këtë gjë dhe të harrojmë punën sepse në fakt kemi se çfarë të korigjojmë sërish”- ka thënë ai.Nesër në orën 18.00 ndërkohë, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” luhet ndeshja e rradhës për kuqeblutë. Ajo ndaj ekipit të Universitetit Amerikan të Tiranës. I pyetur nëse Vllaznia do të arrijë edhe fitoren e 14-të rradhazi, trajneri Gjeçaj ka thënë se gjasat janë që kështu të ndodhë, por ai sërish kërkon t’i ruhet ndonjë të papriture të pakëndshme. “Unë jam i bindur se do fitojmë edhe ndaj UAT-së por sportit asnjëherë nuk i dihet. UAT ka fituar javën e kaluar me Elbasanin me plot 40 pikë diferencë dhe kjo tregon diçka. Në përbërje ka djem të rinj që luajnë me dëshirë prandaj dhe duhet të bëjmë kujdes”- ka thënë trajneri shkodran.Ecuria e deritanishme e kësaj skuadre të jep shpresë për titullin kampion. Mënyra se si ajo luan, mënyra si reagon në fushë, janë tregues optimist prandaj dhe tifozët e duan këtë skuadër dhe janë gjithnjë pranë saj në mënyrë që në muajin maj të festojnë së bashku të shpallurit kampion.

Gjergj KOLA