Skuadra shkodrane e basketbollit për të rinj, ka arritur një fitore shumë të thellë në ndeshjen e javës së 11-të të luajtur në Elbasan. Vllaznia ka luajtur me skuadrën vendase të Elbasanit dhe ka fituar thellësisht me rezultatin 77-41. Pra, me 36 pikë diferencë, çka tregon edhe për epërsinë e madhe të skuadrës shkodrane të drejtuar nga trajneri Roland Koka. Me këtë fitore, Vllaznia është ngjitur në kuotën e 18 pikë duke mbajtur vendin e tretë në renditje pas Tiranës dhe Virtus Tirana. Nëse djemtë kanë fituar thellësisht, ekipi i të rejave të Vllaznisë ka luajtur po në Elbasan por ka humbur. Për koinçidencë po me 36 pikë teksa rezultati përfundimtar i ndeshjes ka qenë 87-51 për Elbasanin. Me këtë humbje, skuadra e drejtuar nga e mirënjohura Xhuli Shestani mban vendin e gjashtë me 14 pikë të grumbulluara. Sigurisht që ky ekip nuk ka pretendime këtë sezon, krejt ndryshe nga të rinjtë që kërkojnë të jenë ndër ekipet më të mira të vendit edhe sivjet pavarësisht shumë problemeve që kanë me kushtet e stërvitjes.

www.shkodrasport.com