E shtuna do dhurojë derbin verior, atë në mes Kukësit dhe Vllaznisë. Një sfidë ekipesh të një krahine, një sfidë trajnerësh- shokë dhe mbi të gjitha një sfidë lojtarësh. Kush do ta fitojë këtë betejë? Vendasit natyrisht që duken më të favorizuar ngaqë luajnë në fushën e tyre dhe po ashtu kanë edhe kontigjent më të mirë lojtarësh por edhe Vllaznia nuk mund të dorëzohet për të dytën javë rradhazi. Në Shkodër duan sa më shpejt kthesën dhe futbollistët janë të përgjegjshëm për këtë gjë. Prandaj dhe pritet të jetë një sfidë shumë e luftuar.

 

Bilanci
Sezonin e kaluar kanë qenë dy përballjet e para në mes këtyre dy skuadrave në historinë e Superligës shqiptare. Por pavarësisht se Kukësi u rendit në fund të kampionatit në vend të dytë, kjo skuadër nuk arriti të fitojë asnjërën nga dy ndeshjet që zhvilloi me Vllazninë. Në të parën, të luajtur njëlloj si këtë herë në fushën e Kukësit dhe po për javën e dytë të kampionatit, u arrit barazimi pa gola 0-0. Ndërkohë në përballjen e kthimit, atë në “Loro
Boriçi”, kanë qenë shkodranët që fituan 1-0. Nisur nga ky bilanc I shkurtër takimesh direkte, e kupton qartë rolin dhe peshën e skuadrës me traditë. Megjithatë ky tregues natyrshëm që nuk do hyjë ndoshta në fushë sivjet. Kuqeblutë gjithsesi janë të mendimit se ata janë Vllaznia dhe me këtë emër mund “t’I bëjnë të dridhen” edhe futbollistët që shkuan deri në turin e katërt të Kupave të Europës këtë herë. Por mund të mos ndodhë edhe kështu. Në futboll shpeshherë nuk vendos emri dhe historia por çfarë skuadrat tregojnë në fushën e lojës.
Sfidë trajnerësh
Mund të jetë edhe e tillë. Canaj dhe Cungu janë miq me njëri- tjetrin në fakt. Aq sa në verë, atëherë kur drejtuesit e Vllaznisë e kërkuan trajnerin aktual të Kukësit të merrte drejtimin e skuadrës së tyre, në pamundësi për të thënë “po”, u sugjeroi atyre Canajn. Kjo ngaqë e njihte mirë ngaqë sëbashku kishin drejtuar kuqeblutë katër sezon më parë. Të shtunën ndërkohë ata do të jenë kundërshtarë. Padiskutim që Cungu ka një skuadër më të mirë, më të motivuar por kjo nuk do të thotë se e ka “fitoren në xhep”. Me shumë siguri nuk do jetë një sfidë që do vendoset nga zgjedhjet taktike të trajnerëve. Edhe për më tepër që të dy ata e njohin mentalitetin e punës së njëri- tjetrit.
Sfidë lojtarësh
Kontigjenti I futbollistëve që kanë në dispozicion dy ekipet, dukshëm që anon nga Kukësi për nga cilësia. Ata janë më të përzgjedhur, kushtojnë më shumë dhe cilësitë e tyre mund ta vendosin fatin e ndeshjes. Mjafton të përmendim faktin se dy prej tyre lojtarëve më të mirë të sezonit të kaluar të Vllaznisë, Smajli dhe Dragoi, tashmë janë pjesë e kukësianëve. Në krahun tjetër ka element kryesisht shkodranë dhe të rinj. Ata mund të përdorin forcën rinore për të fituar. Në adresë të të dy ekipeve ka shumë presion për të marrë tre pikët ngaqë kanë bërë nga një hap të gabuar në ndeshjet e javës së parë. Mbase tek Kukësi ka më shumë presion sepse presidenti Gjici ka paralajmëruar gjoba financiare nëse nuk fitohet ndërsa tek
Vllaznia presion është më shumë moral sepse një Shkodër e tërë pret më tepër nga kjo skuadër. Prandaj dhe 90 minutëshi I së shtunës do jetë përcaktues për shumë gjëra, për njërën dhe për tjetrën skuadër.
Gjergj KOLA