Vllaznia në futboll për femra prej disa ditësh ka nisur përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kampioneve të Europës. Ndonëse data 20 gusht duket larg në pamje të parë, në fakt nuk ka edhe shumë kohë në dispocion.

Ekipi po stërvitet normalisht çdo ditë dhe forma e lojtarëve po shkon aty ku duhet normalisht. Presidenti Lazer Matija ka nisur ndërkohë punën prej kohësh për forcimin e ekipit me lojtare cilësore. Gjërat duket se po shkojnë mirë dhe shumë shpejt pritet të mbërrijnë në Shqipëri dhe të prezantohen disa futbolliste.

Bëhet fjalë për lojtare nga Amerika por edhe nga Kosova, të cilat do ta forcojnë skuadrën në pikat ku ajo ka nevojë. Kuptohet që Vllaznia synon kalimin e turit të parë dhe për këtë arsye, drejtuesit po tentojnë të ndërtojnë një formacion fitues.

Ndeshja që do të luhet në Poloni më 20 gusht në orën 19.45 përballë fitueses së çiftit Ferencvarosh – Czarni, është vlerësuar maksimalisht në kampin kuqeblu. Futbollistet dhe stafi teknik janë duke punuar fort në stërvitje për të kapur formën maksimale sepse vetëm kështu mund të përballen këto kundërshtarë. Vllaznia do të ndeshet me kampionen e Hungarisë ose të Polonisë, skuadra këto me shumë eksperiencë dhe lojtare cilësore.

Megjithatë vajzat shkodrane nuk do të heqin dorë nga pretendimet e tyre. Ata edhe në edicionet e kaluara kanë treguar se mund të luajnë si të barabarta me këdo dhe për më tepër edhe mund të fitojnë ndaj tyre dhe të kualifikohen për më tej. Këtë gjë do të tentojnë edhe sivjet dhe shpresat janë të mëdha që Vllaznia të kualifikohet për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës./SHKODRA-SPORT.COM/