Vllaznia “përforcohet” para Kukësit. Mirsad Jonuz do të ketë një grup më të plotë përballë nënkampionëve në fuqi të vendit. Renato Malota ka kaluar dëmtimin që e la jashtë me Skënderbeun, ndërsa një “armë” më shumë në mbrojtje do të jetë edhe Ualusimbi Godfrej. Pasi debutoi në Kupën e Shqipërisë dhe mori elozhe prej trajnerit, ky i fundit po e bën gati që t’i japë minuta edhe në kampionat.

Vendimi nuk është marrë ende zyrtarisht, e megjithatë është e sigurt që do të jetë i grumbulluar. E themi këtë, pasi lojtari i linjës së majtë është i “varur” prej Filip Gligorov.

Nëse maqedonasi nuk do ndiejë më shqetësime fizike, atëherë ka të ngjarë që të luajë pikërisht ky dhe ugandezi të qëndrojë në stol. Dhe kjo do të ndodhë për një arsye të thjeshtë, numri një i stolit të kuqebluve është i “fiksuar” pas formacionit fitues.

JONUZ SUPERSTICIOZ

Dhe derisa ekipi ishte super kundër korçarëve, duke shënuar edhe 4 gola, atëherë do t’i qëndroj stoik asaj 11-she. Kujtojmë se Gligorov doli nga fusha çerek ore para se të mbyllej ndeshja e javës së 6-të dhe gjatë kësaj kohe ka qenë në vëzhgim të plotë. E thënë ndryshe, vetëm në mbrojtje mund të ketë lëvizje, pasi pjesa tjetër e ekipit nuk do të ndryshojë.

Pas “pokerit” të një jave më parë, tekniku do i besojë sërish eksperiencës së Shtubinës, Likës dhe Krujës në sulm. Mesfusha pritet që të jetë më tepër shkatërruese, me Krymin e Ramadanin në qendër, ndërsa Hygor do të ketë në duar organizimin e lojës.

Me balotazhin e krahut të majtë të mbrojtjes, djathtas do të vendoset Gurishta, ndërsa në qendër Shehi me Malotën. Ndërsa porta mbetet “pronë” e Sherrit.