Vllaznia prej ditësh vazhdon përgatitjet për përballjen me Partizanin, një takim shumë i rëndësishëm për kuqeblutë, të cilët do të kërkojnë ta nisin me këmbën e mbarë vitin 2023. Dueli me të kuqtë do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 16:00 në stadiumin “Partizani”.
Skuadra ka vijuar me përgatitjet me intensitet të plotë dhe futbollistët kanë punuar të ndarë me reparte. Mbrojtja është reparti që ka marrë vëmendjen më të madhe, ku futbollistëve u është kërkuar më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe më shumë inkursione nga lojtarët anësorë.
Josa kërkon me ngulm që skuadra e tij të vijojë me fitoret dhe me lojën e bukur që dhuroi në fitoren e fundit ndaj Teutës. Gjithashtu, kërkohet që Vllaznia të bindë në rezultate dhe duket se i ka të gjithë përbërësit e duhur për diçka të tillë.
Në seancat e kësaj jave, trajneri Josa nuk ndalej së foluri dhe udhëzuari futbollistët. Një gjë e tillë vjen prej faktit se ndaj Partizanit është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi në këtë moment me të vërtetë kundërshtarët janë shumë pranë, por edhe shumë larg dhe Vllaznia nuk duhet të gabojë më.
Stafi teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa, po e përgatit me kujdes takimin ndaj Partizanit dhe objektivi është vetëm fitorja. Të kuqtë kanë pasur një ecuri të mirë në 15-javët e deritanishme të Abissnet Superiore, por trajneri Josa e di mirë se ndeshje të tilla fitohen vetëm duke dhënë maksimumin.
Maringlen ZHIVANI