Vllaznia ka vijuar stërvitjen dhe përgatitjet për ndeshjen ndaj Partizanit, e cila pritet të jetë shumë e vështirë për shkak të kundërshtarit.
Ditën e sotme, Josa u foli futbollistëve për peshën e kësaj ndeshjeje, duke u kujtuar se në këtë moment rëndësi kanë vetëm pikët. Ai insistoi se Vllaznia ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim, do të synohet arritja e titullit në pjesën e mbetur të sezonit.
Atmosfera në skuadër është relativisht e mirë, edhe pse grupi nuk do të jetë i plotë në dispozicion të stafit teknik dhe trajnerit Mirel Josa, pasi Latifi, Juriç dhe Bulatoviç do të mungojnë në ndeshjen e parë të 2023.
Ndërkohë, qendërmbrojtësi Dajan Shehi ka një fije shpresë për të qenë i gatshëm ndaj Partizanit, pasi sot është bashkuar me grupin dhe mbetet të shihet sesi muskujt do t’i përgjigjen.
Ndeshja ndaj Partizanit shihet edhe si një provë për vazhdimësinë në Shkodër, pasi në javët e fundit skuadra ka pësuar dy humbje dhe ka marrë një fitore. Në rast se, shkodranët kërkojnë titullin, kthesa duhet të nisë që me Partizanin, për të tentuar më pas mbajtjen e një trajektoreje suksesesh të herë pas here.
Të kuqtë konsiderohen si një skuadër fatsjellëse për Vllazninë, pasi në sezonet e fundit në transfertë shkodranët kanë ditur shpesh sesi të fitojnë. Ndërkohë, në merkato trajneri Josa pret padyshim një qendërsulmues. Gjithsesi, për momentin nuk ka asnjë pistë konkrete.
Maringlen ZHIVANI