Pavarësisht lajmeve që kanë qarkulluar fillimisht në mediat kosovare e më pas në ato shqiptare se Vllaznia i ka bërë një ofertë trajnerit kosovar Ismet Munishi, vetë klubi shkodran e ka hedhur poshtë një gjë të tillë. Në fakt, ajo që lëvizur ujërat ka qenë një intervistë e vetë këtij trajneri në disa media kosovare ku ai fliste për një ofertë që i ka bërë drejtori sportiv i klubit shkodran për të marrë drejtimin e kuqebluve.

Madje, Munishi fliste edhe për mundësinë e marrjes me vete të tre futbollistëve kosovarë. Por ky lajm është hedhur poshtë sot nga ana e klubit Vllaznia. Përmes një deklarate për shtyp, ai ka bërë të ditur pikësëpari se ka patur një bisedë në mes këtij trajneri dhe drejtorit Grima por ka qenë një bisedë thjesht për të diskutuar rreth asaj çfarë po ndodh tek Vllaznia. Së dyti, bëhet e ditur se edhe nëse ekzistonte ndonjë variant për ta marrë atë si trajner, ai ka vetëm liçensën UEFA  me të cilën nuk mund të drejtosh as ekip të kategorisë së parë në Shqipëri dhe jo më ekip të Superligës. Dhe e treta, gjithnjë duke iu referuar deklaratës për shtyp të klubit shkodran, Vllaznia nuk po kërkon trajner sepse ajo e ka atë dhe ky është Baldo Raineri. Nëse kuqeblutë do kërkonin trajner tjetër, atëherë fare mirë do të kishin pranuar dorëheqjen e dhënë nga trajneri italian dy javë më parë. “Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk po kërkojmë trajner sepse e kemi atë”- përfundon deklarata për shtyp e klubit Vllaznia. Në këtë mënyrë, kjo tymnajë e krijuar ndoshta me qëllim nga vetë trajneri Munishi për të reklamuar veten, ka marrë përgjigjen e duhur nga shkodranët paçka se lajme të tilla do ta kenë bërë të mos ndihet mirë trajnerin aktual Raineri i cili gjithsesi vazhdon i qetë punën në krye të kësaj skuadre.

© shkodrasport.com