E kishte paralajmëruar administratori Kalamishi marrjen e masave të rënda ndëshkimore ndaj futbollistëve të veçantë ndaj futbollistëve që do shkelnin kontratën dhe rregulloren e brendshme të klubit dhe masa e parë ka ardhur. Paraditen e së martës, dy drejtuesit e lartë të klubit, administratori Neritan Kalamishi dhe drejtori sportiv Armir Grima kanë qenë të pranishëm në seancën stërvitore teksa i kanë komunikuar futbollistit Rijat Shala përjashtimin nga skuadra. Nga sa merret e vesh nga ana e vetë klubit, marrja e një mase të tillë ka qenë e ndikuar nga disa veprime të këtij futbollisti por më i rëndi ka qenë ai i sharjes, ofendimit, madje edhe kërcënimit të trajnerit Raineri, gjatë dhe pas ndeshjes së fundit me Teutën. Shkaku i incidentit ka qenë zëvendësimi nga ana e trajnerit e këtij futbollisti që në minutën e 35-të të ndeshjes, për një paraqitje të dobët në fushë. Por ky veprim i trajnerit nuk është pritur aspak mirë nga mesfushori kosovar që nuk ka ngurruar të reagojë. Natyrisht kjo gjë është raportuar nga ana e trajnerit në një relacion që ka paraqitur në klub dhe drejtuesit e tij kanë marrë masën e përjashtimit nga skuadra. Kjo edhe ngaqë për Shalën nuk ka qenë hera e parë që ka krijuar probleme. Mësohet se pak ditë më parë ai është grindur edhe me shokët e ekipit ndërkohë që drejtuesit e klubit i kanë tërhequr veshin edhe për performancën shumë të dobët që ai ka paraqitur në të gjitha ndeshjet zyrtare dhe po ashtu edhe për marrjen e një numri të madh kartonash në mënyrë të pajustifikuar. Për këtë arsye ai është përjashtuar nga skuadra. Kjo është masa e parë ndëshkimore dhe nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme të ketë edhe të tjera.
© shkodrasport.com