Te Vllaznia duhen futbollistë cilësorë për vazhdimësinë. Në sulm, në mesfushë, por sidomos edhe në mbrojtje. Ky është synimi i klubit kuqeblu në këtë janar.

Shkodranët kërkojnë me patjetër të afrojnë futbollistë në çdo repart. Realisht, në këtë moment që flasim, drejtuesit dhe presidenti Alban Xhaferi janë duke vrarë mendjen për të afruar futbollistë.

Emra që qarkullojnë ka sa të duash, por gjërat nuk janë të lehta. Pikërisht, për këtë arsye, Vllaznia do të nisë fushatën “fshesa”, ashtu siç e paralajmëroi edhe trajneri Josa dhe synon që brenda muajit janar të largojë një pjesë të futbollistëve që nuk bëjnë pjesë në projektin e saj për pjesën e dytë të sezonit, në mënyrë që të lirojë sadopak vend për afrimet e mundshme.

Në këtë merkato, plani i kuqebluve është përfshirja në ekip e disa futbollistëve që të ndihmojnë skuadrën të ngjitet drejt kreut të renditjes. Pas realizimit të këtyre largimeve, Vllaznia do të provojë të sjellë në “Loro Boriçi” një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues që mund t’u bashkohen kuqebluve.
Maringlen ZHIVANI