Ditët ulqinake vijojnë me itensitet për Vllazninë, me trajnerin Ernest Gjoka që nuk ul ritmin, duke i dhënë skuadrës ngarkesën maksimale për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit. Kuqeblutë vijojnë me nga dy seanca stërvitore në ditë, paradite dhe pasdite, teksa luksi i stafit teknik është që ka në dispozicion grupin e plotë, me përjashtim të mesfushorit Nuredin Orelesi. Nigeriani ka mbetur në Shkodër për arsye të mungesës së vizës malazeze dhe po kryen seancat stërvitore me Vllazninë B.

Të rinjtë e afruar janë përshtatur menjëherë me grupin e lojtarëve, ndërkohë që drejtuesit e klubit po punojnë që faza përgatitore të mbyllet me një test miqësor. Vllaznia ka zhvilluar vetëm një miqësore, edhe atë brenda shtëpisë me Vllazninë B, ndërkohë që mungojnë alternativat e skuadrave vendase. Megjithatë, shpresat për të organizuar një miqësore të fundit ekzistojnë, teksa pritet që të premten Gjoka të shohë formën e futbollsitëve të tij përballë një kundërshtari të fortë, edhe pse për momentin nuk është mësuar ende emri i skuadrës. Në fundjavë do të mbyllet faza përgatitore. Lojtarët dhe stafi do të kenë një ditë pushim në dispozcion, teksa java e ardhshme do të nisë me përgatitjet për përballjen e shtëpisë me kampionët e Kukësit.