Pavarësisht mbledhjeve dhe takimeve, kampionati i Kategorisë Superiore nuk do të nisë as këtë javë. Liga Profesioniste dhe Qeveria ende nuk janë ulur në tavolinën e bisedimeve dhe prandaj duket se kjo situatë do të vazhdojë edhe për pak kohë. Në këto rrethana, te Vllaznia janë duke menduar për zhvillimin e ndonjë ndeshje tjetër miqësore.
Drejtuesit e saj kanë nisur punën tashmë për të gjetur një kundërshtar i cili do të jetë nga Kategoria Superiore. Kjo ndeshje këtë herë nuk do të luhet në Shkodër sepse do të nisin punimet në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”.
Ende nuk dihet se me cilën skuadër do të luajnë, por e sigurtë është që skuadra shkodrane gjatë këtyre ditëve do të luajë miqësoren e saj të nëntë. Deri më tani, kanë zhvilluar 8 të tilla, nga të cilat kanë fituar 4, kanë barazuar 2 dhe kanë humbur po 2.
Shtyrja e nisjes së kampionatit u ka dhënë mundësinë ekipeve të zhvillojnë një numër të madh miqësoresh, por një situatë e tillë është e papranueshme sepse ata ende nuk e dinë se kur do të nisë kampionati. Edhe në Shkodër është i njëjti shqetësim.
Trajneri Brdariç duket i shqetësuar nga kjo shtyrje pa afat sepse nuk di si të programojë edhe stërvitjen e ekipit. Megjithatë me anë të miqësoreve po mundohet ta mbajë skuadrën në tonus./SHKODRA-SPORT.COM/