Opinion nga Apollon Haxhi*
Të flasësh në këto momente kur janë luajtur gjashtë javë kampionat dhe Vllaznia vjen pas fitores së javës të kaluar me Laçin, të krijohet përshtypja se ajo ndodhet në pozita të mira në renditje. Por realisht, duke pasë parasysh edhe oshilacionet që ajo ka shfaqur në disa ndeshje dhe kthesën e bërë, kjo mund të quhet pozitive. Duhet bërë shumë kujdes që ato gabime të ndeshjeve të para por skuadra në fakt nga ndeshja në ndeshje ka ardhur duke u përmirësuar, është bërë më cinike sepse nuk po bën ndonjë lojë të mirë por po arrin rezultatin. Dhe përderisa është rezultati, duhet të mbyllë gjithçka. Vllaznia është në vend të katërt dhe përgjithësisht është një pozicionim i mirë por kjo nuk mjafton sepse duhet vazhdimësia.Gjatë kësaj periudhe skuadra përgjithësisht nuk ka qenë e ndikuar nga polemikat me përjashtim të rastit të sulmuesve, të cilët duhet pranuar se nuk kanë funksionuar në këto ndeshje të para, madje vazhdojnë të mos funksionojnë. Nëse qendra e mbrojtjes ishte problematike në ndeshjen e parë me Skënderbeun, ajo e përmirësoi lojën e saj dhe jo më kot në pesë ndeshjet e tjera ka pësuar vetëm një gol. Sulmi nuk po e bën ashtu si duhet punën e tij dhe më vjen keq që nuk i jepet dora një sulmuesi të ri të talentuar siç është Guri. Konstatoj se Vllaznia sidomos këtë sezon nuk po i promovon aspak lojtarët e saj të rinj. Objektivi i saj është marrë vesh tashmë: të kapin një vend për në Kupat e Europës. Kjo edhe për të rregullu bilancin e klubit sepse dihet që nisur nga ky sezon, përfitimi nga pjesmarrja në këto Kupa është dyfishuar. Duke qenë kështu, edhe trajneri po mendon për rezultatin momental. Po i provon të gjithë futbollistët, madje po kërkon edhe 2-3 të tjerë në merkaton e janarit se ka hall të arrijë objektivat.*Avokat dhe publicist