Rubin Hebaj mund të jetë goditja e parë e Vllaznisë në merkaton e janarit. Prej disa ditësh sulmuesi shkodran ka mbyllur llogaritë në Ukrainë me klubin e Vorskla Polltava, ku ishte në pjesën e parë të sezonit aktual.
Hebaj luajti vetëm 5 ndeshje në Superligën ukrainase dhe duke qenë se kjo aventurë nuk shkoi mirë, lojtari gjeti marrëveshjen për prishjen e kontratës.
“Panorama Sport” mëson se menjëherë pas largimit nga Ukraina dhe faktit që Hebaj është tashmë një lojtar i lirë, drejtuesit e Vllaznisë kanë nisur bisedimet për të pasur shërbimet e lojtarit për pjesën e mbetur të sezonit.
Burime në klub bëjnë me dije se palët janë afër akordit, për më tepër që sulmuesi vjen në një ambient që e njeh mirë dhe klubit i intereson shumë në këtë moment që ta ketë pjesë të skuadrës.
Dy lojtarët brazilianë, Uenderson dhe Emerson, të ardhur me bujë në verë, nuk i kanë përmbushur pritshmëritë, prandaj dhe Vllaznia është e interesuar të rikthejë Hebajn.
Në fakt, që në verë administratori Suad Lici u fut në bisedime me sulmuesin, por nuk u gjet një akord. Tashmë pritet të shihet nëse do të arrihet marrëveshja. Hebaj është një lojtar i formuar në radhët e shkodranëve dhe nuk do ta kishte aspak të vështirë përshtatjen.
Ardhja e tij do të ishte një zgjidhje e mirë për ekipin kuqeblu, i cili vazhdon që të vuajë për një sulmues qendre. Ardhjet e disa lojtarëve në merkato për sulmin nuk kanë rezultuar të suksesshme në pjesën e parë të sezonit.
Shkodranët kanë pasur vështirësi në finalizimin e aksioneve edhe në momentet kur kanë zhvilluar ndeshje të mira, duke u penalizuar nga konkretizimi i rasteve. Vllaznia me një sulmues si Hebaj do ta kishte më të lehtë punën, duke qenë se deri më tani është dashur që të shënojnë mesfushorët apo mbrojtësit.