Mund të shkojë në pesë numri i basketbollistëve të huaj tek ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Pas largimit të papritur të maqedonasit Markovskit, presidenti i këtij ekipi Sokol Dibra ka kërkuar ta plotësojë menjëherë këtë boshllëk teksa ka hyrë në tratativa me të tjerë lojtarë. Për këtë arsye, kanë mbërritur sot në Shkodër dhe kanë filluar stërvitjen me Vllazninë edhe dy basketbollistë të tjerë serbë. Bëhet fjalë për Bogoljub Devrnja dhe Nikola Jevtiç. I pari duket një lojtar shumë cilësor. Ai vjen nga ekipi i Inter Bratislavës me të cilin ka luajtur brenda pak ditësh dhe pritet të shihet nëse do bjerë dakord me drejtuesit e Vllaznisë për kushtet e kontratës. I dyti ndërkohë ka luajtur me OKK të Beogradit. Interesant është fakti se të dy këta basketbollistë janë të një shtatëlartësie të madh, njëri 2.02 m dhe tjetri 2.03 m. Bisedimet me këta dy basketbollistë duhet të mbyllen shpejt sepse duhet bërë federimi brenda datës 31 mars që është edhe afati i fundit i vendosur nga Federata Shqiptare e Basketbollit për marrjes e sportistëve të huaj. Gjithsesi ardhja në Shkodër, do të thotë se gjasat janë që ata të bien dakord me drejtuesit e Vllaznisë dhe të firmosin për të. Kjo tregon më së miri edhe objektivin e drejtuesve të kësaj shoqate për ta fituar me çdo kusht titullin kampion këtë sezon. Nëse firmosin edhe Devrnja dhe Jevtiç, numri i të huajve tek Vllaznia shkon në pesë bashkë me Gjokoviç, Dragiçeviç dhe Kovaç.

Gjergj KOLA