Vllaznia e sezonit të ri ka nevojë për përforcime në çdo repart, ku padyshim kërkohet edhe gjetja e një portieri me përvojë. Pas largimeve të Sherrit, Efremovit e Laços, klubi e ka si domosdoshmëri afrimin e një portieri, pasi në këtë repart janë vetëm dy të rinj, Qarri dhe Shkoza.
Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit janë duke kontaktuar me një portier malazez që është aktivizuar në Azerbajxhan. Pikërisht bëhet fjalë për 31-vjeçarin Bojan Zogoviç. Ky duket si një zgjedhje e duhur për këtë repart.
AFRIMET– Drejtuesit e klubit duan që të pasurojnë organikën e skuadrës në të gjitha repartet, nga porta në sulm. Nëse mbyllin çështjen e portës, atëherë drejtuesit do të kërkojnë edhe për 6-7 lojtarë të tjerë. Në planet e tyre është afrimi i dy apo tre mbrojtësve, si dhe nevojat janë edhe për dy mesfushorë dhe 2 sulmues. Mirëpo, se nga do të vijnë këta lojtarë, askush nuk e di. Nga sa mësohet, po shikohet mundësia e afrimeve e dy lojtarëve afrikanë.
Nuk dihet nëse ato janë aktivizuar në Shqipëria, apo mund të vijnë nga jashtë. Po ashtu, si mundësi mund të jetë edhe rikonfirmimi i Dajan Shehit apo edhe i mesfushorit sulmues Zogaj, të cilët kanë mbyllur sezonin që shkoi me kuqeblutë. Gjithashtu flitet edhe për afrime të lojtarëve shkodranë që janë aktivizua si jashtë dhe brenda Shqipërisë.
DËSHIRAT– “Panorama Sport” mëson se klubi është në bisedime edhe me katër lojtarë, të cilët pëlqehen nga stafi. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese të Luftëtarit, Erald Hyseni, gjithashtu mesfushorin kuksian që mbylli sezonin te Gjilani në Kosovë, Fjoart Jonuzi, si dhe sulmuesin shkodran Arlind Kalaja, i cili pak ditë më parë u largua nga Teuta dhe është lojtar i lirë.
Burime në klub tregojnë se në planet e Vllaznisë është edhe mesfushori-sulmues i Skënderbeut, Nazmi Gripshi, por ky i fundit është nën kontratë me korçarët dhe për më tepër kërkohet edhe nga Partizani e Teuta. Njëkohësisht, drejtuesit janë në bisedime edhe me një qendërmbrojtës malazez, por emri i tij nuk bëhet i ditur për efekt negociatash.