Kanë avancuar bisedimet mes Vllaznisë dhe kapitenit të Bylisit Amarildo Dimo. Gjërat kanë shkuar deri në atë pikë, saqë gjithçka tanimë, është në dorë të kryebashkiakut Lorenc Luka, njëkohësisht edhe president i ekipit të futbollit shkodran. Kjo konfirmohet nga burime të sigurta, që tani nuk flitet më, për interesim të ndërsjelltë, por për kontakte dhe biseda konkrete mes palëve.
Fillimisht ka qenë trajneri i Vllaznisë Rudi Vata që ka shprehur, në mënyrë jo zyrtare, pëlqimin e tij për të patur në radhët e Vllaznisë sulmuesin e ekipit ballshiot, e më pas gjithçka ka vijuar normalisht me biseda dhe kontakte mes tyre.Takimi i fundit mes tyre, që më pas topi ka kaluar në fushën e kryebashkiakut Luka, ka qenë më 22 dhjetor, kur janë takuar në festën e organizuar nga FSHF-ja, e që tekniku Vata dhe Administratori i Përgjithshëm i klubit të futbollit “Vllaznia sh.a.”, Kujtim Shaba janë takuar më Dimon, duke diskutuar edhe detaje. Nga sa mësohet sulmuesi i Bylisit, ka qenë dakort për të lënë Ballshin dhe për të mbërritur në Shkodër, madje me shumë kënaqësi, sikurse edhe trajneri Rudi Vata ka kërkuar që ta ketë në skuadër. Gjithnjë nga burimi në fjalë, thuhet se edhe drejtori sportiv Armir Grima ka patur një bisedë telefonike me Dimon për këtë çështje. Ky i fundit, treshes Grima-Shaba-Vata, u ka dhënë ofertën e tij, dhe tani ajo është në tavolinën e kryetarit të bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, i cili do të vendosë nëse mund t’i përgjigjet financiarisht apo jo. Një përgjigje e tillë pritet, që të jepet ditën e hënë, pasi është edhe si afat i fundit, i vendosur mes palëve, për të mësuar më shumë rreth kësaj piste. Në fakt Amarildo Dimo ka kaluar një fazë të parë të këtij sezoni shumë të mirë. Ka shënuar 9 gola në kampionat, duke qenë një ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit shqiptar për momentin, ka shënuar gjithashtu edhe tre gola në Kupë dhe ka zhvilluar, deri tani, 100 % të ndeshjeve të kësaj faze. Janë këto, disa nga arsyet, që e kanë bindur edhe më shumë, siç duket, trajnerin Rudi Vata për ta patur këtë lojtar nën “urdhrat” e tij për pjesën e dytë të këtij sezoni futbollistik. Nëse Vllaznia nuk preferon të firmosë me Dimon, atëherë, ky i fundit mund të rinovojë sërish me Bylisin. Megjithatë duhet pritur dita e hënë për të mësuar përgjigjen e krerëve të bashkisë së Shkodrës dhe të klubit të futbollit “Vllaznia sh.a”, për të ofertën e Dimos.
Mejdan ZHIVANI