Vllaznia do të presë të dielën Teutën në “Loro Boriçi”, një përballje ku për shkodranët nuk ka vlerë asnjë rezultat tjetër veç fitores. Megjithatë, për këtë takim tekniku maqedonas, Mirsad Jonuz, do të ketë një mungesë të rëndësishme, siç është ajo e brazilianit Hygor Gonzales.

Nga ana tjetër, edhe një rikthim po aq të rëndësishëm siç është ai i mbrojtësit maqedonas Filip Gligorov. Dy javët e ndërprerjes kanë sjellë rikuperimin e plotë të tij dhe pritet që të jetë nga minuta e parë kundër durrsakëve. Lëvizja e teknikut në formacion duket se do të jetë “kokë më kokë”, por me një ndryshim: Gligorov nuk do të luajë në pozicionin që mban braziliani, por do të jetë në ndihmë të repartit të mbrojtjes.

Ndërsa pritet që Marku, i cili është aktivizuar në këto takime si mbrojtës i majtë, të jetë në rolin e tij të zakonshëm, atë të organizatorit, aty pra ku aktivizohet Hygor. Pjesa tjetër e skuadrës mësohet se do të jetë ajo që ka startuar edhe takimin me Tiranën. Në portë do të jetë Sherri, ndërsa në mbrojtje katërshja Gurishta, Shehi, Malota e Gligorov.

Në mesin e fushës përkrah dyshes Krymi e Ramadani pritet të aktivizohet Marku. Sulmi do të ketë treshen Lika, Emerson e Uenderson. Me sa duket, tekniku kërkon që t’ua besojë tërësisht brazilianëve këtë repart. Gjithsesi, deri të dielën trajneri Jonuz mund të ketë të tjera alternativa, ku shumë pranë formacionit, si përherë, mund të jenë edhe Shtubina dhe Kruja.

BRAZILIANËT

Për dyshen Emerson dhe Uenderson ky mund të jetë takimi i dytë që aktivizohen së bashku në formacion. Të dy kanë luajtur titullarë vetëm në ndeshjet e Kupës, por për të parën herë ata janë aktivizuar në përballjen ndaj Tiranës. Aktivizimi i mundshëm i këtyre lojtarëve mund të jetë edhe një shans më shumë për ta që të shprehin vlerat për të cilat janë afruar.

Në kampionat vetëm Uenderson ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, ndërsa Emerson ende nuk ka arritur të tregojë asgjë nga ato që u përfolën kur sapo kishte mbërritur në Shkodër. Këto ndeshje mund të vlejnë shumë edhe për të ardhmen e tyre me Vllazninë.
ADMIR URUÇI