Vllaznia do të synojë titullin kampion në peshëngritje me të rriturit këtë vit. Kampionati kombëtar që do të zhvillohet në muajin shtator, po pritet me interes në ekipin shkodran teksa pretendohen disa vende të para nga sportistët e tij dhe po ashtu edhe titulli kampion si ekip. Njëri nga trajnerët e këtij ekipi, Muhamet Tuzi, në një intervistë për gazetën shkodrasport.com ka evidentuar dhe sportistët më në formë tek të cilët ka besim për rezultate të larta si në garat e kampionatit kombëtar ashtu edhe në aktivitetet ndërkombëtare.
“Me 5 sportistë si Erkand Qerimaj, Emanuel Lushi, Gridi Jahja, Xhulio Prroni dhe Isa Bala, ne synojmë vende të para si individ por duke i dhënë edhe ekipit pikë në mënyrë që ai të shpallet kampion i Shqipërisë për këtë vit. Kemi besim në këtë gjë dhe do të tentojmë deri në fund”- ka thënë Tuzi. Peshëngritësit e Vllaznisë janë duke u stërvitur me ngarkesa të larta edhe gjatë kësaj periudhe ndonëse temperaturat kanë qenë të larta por objektivi I tyre është I qartë për t’u shpallur kampionë të Shqipërisë këtë vit.
Gjergj KOLA