Ashtu siç pritej, trajneri I ri I Vllaznisë Agim Canaj ka mbërritur paraditen e sotme në Shkodër dhe pas një kafe të shpejtë, ka nxituar për në zyrat e klubit. Aty e ka pritur administratori I tij Fatos Gjyrezi me të cilin është nënshkruara kontrata njëvjeçare. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe dy ndihmësit e tij, zëvendëstrajneri Samuel Nikaj dhe trajneri I portierëve Elis Legataj. Pas kryerjes së kësaj procedure pastaj është kaluar tek prezantimi zyrtar para mediave. Përveç administratorit Gjyrezit ka qenë I pranishëm edhe drejtori sportiv Armir Grima. Të dy ata në fjalën e tyre, kanë folur me konsiderata për teknikun e ri që do të drejtojë skuadrën shkodrane.

“I kemi menduar gjërat mirë e mirë dhe kemi arritur tashmë në këtë konkluzion që Agim Canaj do të jetë trajneri I ri I Vllaznisë. Jemi nisur nga karriera e tij shumëvjeçare, përshtypja e mirë që ai ka lënë në Shkodër herën e parë që e ka drejtuar këtë skuadër por edhe nga gatishmëria e tij për të ngritur sërish këtë emër në vendin që I takon. Ne si klub do t’I ofrojmë gjithë mbështetjen e duhur dhe besoj se Canaj do të ketë një ndihmë të madhe edhe nga dy ndihmësit e tij, Nikaj e Legata por edhe nga drejtori sportiv Grima që do jetë gjithnjë pranë skuadrës. Jemi të bindur se gjërat kanë për të shkuar mirë”- ka thënë në fjalën e tij hapëse administratori I klubit Vllaznia Fatos Gjyrezi. Edhe drejtori sportiv Grima ka shfaqur të njëjtin besim tek trajneri I ri duke e vlerësuar si kandidaturën më të mirë të mundshme për të marrë drejtimin e kuqebluve. “Ka qenë kandidatura më e mirë e mundshme për të marrë drejtimin e Vllaznisë në këto moment. Megjithatë tashmë kjo gjë ka përfunduar dhe tashmë duhet të nisemi nga puna sepse nuk kemi kohë më për të humbur”- ka thënë ai. Ndërkohë vetë trajneri Canaj është shprehur I kënaqur që rikthehet për të punuar sërish në Shkodër pas diçka më tepër se 4 vitesh. “Më vjen mirë që sot firmosëm për një bashkëpunim njëvjeçar me përfaqësuesit e Bashkisë por në fakt ky është një bashkëpunim me futbollin shkodran sepse nuk ka gjë të ndarë. Unë vij për futboll dhe kuptohet që çdo trajner do të dëshironte që kushtet e punës t’I kishte shumë optimal në punën e tij por duke qenë se unë kam një eksperiencë shumëvjeçare në drejtimin e ekipeve të ndryshme, erdha me dëshirën më të madhe, jo për të parë detajet e anës financiare të punës, por për të vazhduar punën e lënë përgjysëm katër sezone më parë. Kam ikur nga Vllaznia duke e lënë atë në vend të parë kjo është e vërtetë dhe besoj se ajo punë që kam bërë atëherë është vlerësuar mjaft në Shkodër dhe këtë e tregon edhe numri I madh I telefonateve të urimeve që kam marrë nga njerëzit në këtë qytet gjatë këtyre dy ditëve. Këtë interesim ndaj meje, ju premtoj të gjithëve se do t’ua shpërblej me punë për të arritur objektivat që klubi ka, por në rradhë të parë për stabilizuar një situatë që ju e dini mirë se duhet rregulluar sa më parë. Fanella e Vllaznisë nuk është një fanellë dosido, është një emër shumë I madh dhe e kam për krenari që e drejtoj atë. Premtoj të bëj më të mirën dhe shpresoj që të arrijmë shpejt ndërtimin e një grupi solid për t’u përfaqësuar në kampionat dhe unë besoj se do të kem mbështetjen e gjithë drejtuesve të klubit. Kam ardhur për të arritur diçka me këtë skuadër. Kuptohet që do kemi vështirësi por unë nuk I trembem vështirësive por do punojmë të gjithë me përkushtim për për t’I kaluar ato dhe të mos mbesim me sytë prapa për të parë se çfarë problemesh kemi patur më përpara”- ka thënë Canaj.Kaq ka mjaftuar për prezantimin. Në orën 17.00 ndërkohë ai ka qenë në stadiumin “Loro Boriçi” për të drejtuar stërvitjen e parë me ekipin e tij të re. Pikërisht në këtë orar kanë qenë present një mori e madhe futbollistësh, plot 53. Prezantimi para skuadrës të trajnerit të ri e ka bërë Grima ndërkohë që vetë Canaj ua ka bërë të qartë se seleksionimi do të jetë në një numër të madh dhe I shpejtë sepse nuk ka shumë kohë për të provuar futbollistë.

www.shkodrasport.com