Shumë emocione ka dhuruar ndeshja e sotme në mes Vllaznisë dhe Tiranës, e vlefshme për kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj. Më në fund, kuqeblutë kanë siguruar fitoren e parë pas plot 9 javësh dhe për më tepër, ndaj një skuadre si Tirana.

Takimi është dominuar nga fillimi e deri në fund nga vendasit. Ata e kanë nisur mjaft mirë ndeshjen duke udhëhequr deri në 9-0 dhe këtë avantazh e kanë ruajtur deri në fund të periodës së parë që mbyllet në shirfrat 23-15.

Shkodranët duken shumë të vendosur për ta fituar ndeshjen dhe shkojnë në pushimin e saj me shifrat 39-30. E treta do të ishte shumë përcaktuese sepse krijon epërsinë e duhur për ta fituar takimin.

Ajo fitohet 28-19 nga Vllaznia që në të katërtën vetëm sa e kontrollon rezultatin dhe në fund fiton 78-70. Kuptohet që kjo fitore ka qenë shumë e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të kuqebluve në kampionat, por pavarësisht fitores ata nuk kanë arritur asgjë sepse pozitat e tyre vazhdojnë të mos jenë të mira.

E rëndësishme është që prishën “syrin e keq” dhe tashmë e gjithë vëmendja do të përqendrohet tek ndeshja e rradhës me Partizanin.
© shkodrasport.com