Drejtuesit e shoqatës së basketbollit të Vllaznisë bëjnë realitet edhe blerjen e një tjetër basketbollisti cilësor. Pas mbërritjes së amerikanit Brandon Hog javën e shkuar, këtë herë mbërrin një tjetër basketbollist amerikan. Bëhet fjalë për Anthony Booker. Ai do të mbërrijë të dielën në Rinas dhe menjëherë do të marrë rrugën drejt Shkodrës i shoqëruar nga pjestar të klubit shkodran. Ka qenë ky i fundit që i ka prerë edhe biletën e ardhjes për në Shqipëri dhe tashmë ky është një realitet.
Siç bëjnë të ditur drejtues të Vllaznisë, bëhet fjalë për një lojtar cilësor, i cili ka një shtatëlartësi prej 2.07 m dhe luan zakonisht në pozicionin katër megjithatë me këtë shtatëlartësi, ai mund të luajë edhe në pozicione të tjera dhe t’i shërbejë jo pak skuadrës. Trajneri Bledar Gjeçaj e kishte bërë të qartë se pa përforcime, skuadra e tij do ta kishte të vështirë të shpallej sërish kampion. Në fakt, kuqeblutë kanë kaluar jo pak peripeci në muajt e fundit. Fillimisht iu largua malazezi Gjokoviç, një nga pikat më të forta të tyre. Më pas edhe slloveni Sarajlija dhe malazezi tjetër Pajoviç. Sikur të mos mjaftonin këto largime, edhe dëmtimet kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm për këtë ekip. Që nga fillimi i sezonit, organizatori Llazani më shumë ka qenë i dëmtuar sesa ka luajtur ndërsa probleme dëmtimesh ka edhe Bekteshi ndërkohë që në ndeshjen e fundit nuk kanë luajtur për këtë arsye edhe Berdica, Arra e Ndoja. Për të gjitha këto, ardhja e dy amerikanëve do të rregullojë jo pak gjëra në skuadër. Trajneri Gjeçaj është i bindur për këtë dhe prandaj shprehet: “Me ardhjen edhe të amerikanit tjetër, do të bëhemi më të fortë dhe pretendentë kryesorë besoj për fitimin sërish të titullit kampion. Drejtuesit e shoqatës së basketbollit kanë bërë maksimumin për ta forcuar ekipin me lojtarë cilësorë dhe ardhja e dy amerikanëve natyrisht që ka mbushur boshllëkun e krijuar nga largimet që kemi patur”. Ndërkohë për ndeshjen e kësaj jave, pritet që amerikani Hog i ardhur para disa ditësh, të jetë i gatshëm për të luajtur sepse edhe dokumentacioni i ka ardhur ndërsa për amerikanin tjetër që vjen stë dielën- Booker, debutimi i tij me Vllazninë do jetë javën e ardhshme. E rëndësishme është që ata të fillojnë të luajnë sa më shpejt në mënyrë që të sinkronizohen si duhet me lojën e skuadrës për t’i shërbyer asaj në maksimum.
Gjergj KOLA