Vllaznia feston fitoren ndaj Partizanit.Vllaznia ka pasur një sezon jo të mirë në ndeshjet në shtëpi. Në këto 14 javë të këtij sezoni, ajo ka zhvilluar 7 në fushën e vet, ndër të cilat ka arritur të fitojë tri, të barazojë në një dhe të humbasë në tri të tjerat. Vllaznia ka marrë në shtëpi 10 pikë, nga 21 të mundshmet, e kjo me sa duket ia ka ndërlikuar jo pak pozitat. Ndërsa në shtatë takimet e zhvilluara në transfertë, të besuarit e trajnerit Canaj kanë marrë 8 pikë nga 21 të mundshme.

Me sa shikohet, kuqeblutë e këtij sezoni i kanë pasur të vështira përballjet në shtëpi. Sezoni ka nisur keq me një humbje disi të papritur në shtëpi përballë Flamurtarit. Ndërsa në javën e tretë skuadra shkodrane arrin të marrë një fitore me Tiranën në “Loro Boriçi”. Po ashtu fiton thellësisht në javën e pestë me Laçin, me shifrat 3-0. Kjo ka qenë dhe fitorja më e thellë e kuqebluve në shtëpi për këtë pjesë të sezonit. Vllaznia vetëm një javë më pas mundet 1-3 nga kampionët e Skënderbeut, mirëpo kthehet te fitorja në javën e 8-të përballë Kastriotit, e cila është edhe fitorja e fundit e arritur në shtëpi. Vllaznia ia ka dalë të fitojë ndaj krutanëve pikërisht në minutën e fundit, duket marrë një trepikësh me shumë vlera. Më pas shkodranët barazojnë në javën e 10-të me Bylisin dhe që prej atij takimi nuk janë kthyer ende te rezultatet pozitive. Humbja e fundit në shtëpi ka qenë pikërisht në javën e 13-të, kur kuqeblutë janë mundur 1-2 nga Kukësi. Kësaj here, drejtuesit dhe lojtarët kërkojnë ta rregullojnë peshoren mes fitoreve dhe humbjeve në favorin e tyre. Shkodranët kërkojnë që tri pikët e kthesës të vijnë në përballjen e radhës me Lushnjën.
Situata – Vllaznia e ka mbyllur seancën stërvitore të së premtes me dy lajme pozitive. Mësohet se sulmuesi Bushiç dhe mbrojtësi Beqiri do të jenë të gatshëm për ndeshjen e së dielës me Lushnjën. Ajo do të luhet në Shkodër në stadiumin “Loro Boriçi”, ora 13:00. Konfirmimin për riaftësimin e dy futbollistëve të Vllaznisë e ka dhënë stafi teknik. Natyrisht, rikthimi i Beqirit dhe riaftësimi i Bushiçit e ka gëzuar jo pak stafin teknik me në krye trajnerin Agim Canaj. Të dy lojtarët kanë zhvilluar një stërvitje të plotë të premten. Futbollistët i janë bashkuar pjesës tjetër të grupit, duke marrë kështu ngarkesën e duhur stërvitore në prag të përballjes me Lushnjën.
Admir Uruçi