Te Vllaznia, ndryshe nga repartet e tjera ku lakohen shumë emra si të mundshëm për të veshur fanellën e këtij ekipi, në sulm nuk ka asgjë konkrete. Deri më tani është folur shumë për një rikthim të Bekim Balës, apo edhe për ndonjë shpenzim të tepërt sa i përket Pejo Pejiçit, por asnjë nga këto emra nuk duket se është afër kuqebluve. Reparti më deficitar në pjesën e dytë të sezonit të shkuar, pas largimeve të dyshes sulmuese Sukaj dhe Vajushi, duket se do të përsëri probleme në kompletimin e tij. Bala, një nga shkodranët e shumëpërfolur për t’u veshur kuqeblu që në merkaton e janarit, duket se është ende larg një kalimi në sezonin pranë Vllaznisë. Ai është pjesë e Tiranës deri në muajin janar të vitit të ardhshëm dhe, për rrjedhojë, nuk mund të lëvizë. Një shpresë për kuqeblutë duket se është kroati i ekipit të Flamurtarit, Pero Pejiç. Megjithatë, drejtuesit e klubit shkodran për një afrim të tillë u duhet të bëjnë një sakrificë financiare. Duke parë vështirësitë për afrimin e elementëve cilësorë, të paktën ata që kërkohen nga Vllaznia, duket se shkodranët do të kenë probleme sërish në repartin ofensiv. Ndoshta, drejtuesit e klubit për përforcimin e sulmit do të operojnë edhe jashtë kampionatit shqiptar, vetëm e vetëm që skuadra të jetë e kompletuar dhe të mos i mungojë njeriu gol.
Admir Uruçi