Të premten në ora 13.30 në stadiumin “Loro Boriçi” do të luhet ndeshja e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë në mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Për shkodranët në pamje të parë konsiderohet një sfidë e lehtë sepse kundërshtari është i një niveli të dobët.
Ndoshta edhe për këtë arsye, por edhe për t’i dhënë mundësinë të luajnë të gjithëve, në kampin shkodran mësohet se janë duke projektuar shumë ndryshime në formacion për takimin e pas dy ditëve.
Këtë e ka paralajmëruar zëvendëstrajneri Elvis Plori që është shprehur: “Them se ndaj Elbasanit do kemi ndryshime në formacion. Do ruajmë bazën e ekipit, por do kemi ndryshime me lojtarët që kanë mundësi të tregojnë vlerat e tyre dhe që janë afër formacionit, për të qenë edhe ata në fushë dhe për të dhënë më të mirën”.
Kjo do të thotë se të premten në fushë do të jenë së paku 4-5 lojtarë të tjerë të cilët do ta nisin si titullarë ndeshjen me Elbasanin dhe shto këtu edhe 5 zëvendësimet e mundshme që do të bëhen, do të thotë se në këtë sfidë të kupës do të luajë thuajse tërësisht formacioni i dytë.
Kjo do të jetë një mundësi e mirë për lojtarët e tij për të treguar edhe ata se e meritojnë një vend në formacion dhe për këtë arsye, pritet që performanca e tyre të jetë e mirë sepse nuk do kenë shumë shanse në dispozicion për të bindur stafin teknik./SHKODRA-SPORT.COM/