Pas 21 javëve të zhvilluara, gara në kampionatin shqiptar është më e nxehtë se kurrë, dhjetë skuadra në garë dhe ende në lojë për çdo objektiv. Me fitoren e Vllaznisë në Shkodër ndaj Tiranës dhe triumfi i Partizani në Ballsh, gara për kreun është ngjeshur edhe një herë tjetër, me Tiranën që është vetëm 3 pikë para dyshes ndjekëse.
Për kuqeblutë, një fitore shumë e rëndësishme jo vetëm për klasifikimin, por për të mbajtur shpresën e titullit dhe për të mos lejuar arratinë e Tiranës, ndërsa për të kuqtë, në Ballsh, goli i Mensah kishte aromën e fitores së parë për vitin 2023 në kampionat.
Pika me Teutën, e mban Erzenin në garën për Europën me vetëm 3 pikë më pak sesa Partizani dhe Vllaznia. Formë e mirë e shijakasve që në tre takimet e fundit kanë regjistruar një fitore dhe dy barazime.
Tre pikë të arta gjithashtu për Egnatian në Laç që rikthejnë rrogozhinasit te triumfi, i pari për këtë vit kalendarik. Me këtë fitore, Egnatia e mban veten ende në gjysmën e sipërme të klasifikimit, duke qenë 4 pikë prag Partizanit dhe pesë më shumë sesa Teuta.
Kukësi fitoi një derbi mbijetese duke e mbajtur veten në kuota të barabarta me Teutën, e cila doli me një pikë nga derbi me Erzenin. Nga ana tjetër, disfatat për Bylisin dhe Kastriotin, i mbajnë në pozita të vështira në zonën e rënies, me skuadrën krutane që nuk do të drejtohet më nga trajneri Ardian Mema dhe rikthen në stol Emiliano Çelën.