Për ndeshjen e rradhës me Luftëtarin duket se trajneri I Vllaznisë Artan Bushati ka ndër mend të bëjë ndonjë ndryshim në formacion. Kështu duket e sigurtë që kapiteni Elvin Beqiri do të kthehet të luajë sërisht si titullar pas mungesës në dy takimet e para. Interesant është fakti se rikthimi I tij nuk do jetë në mbrojtje, pozicioni I tij I preferuar por në mesfushë.
Për këtë aktivizim të tij, “I sakrifikuari” do të jetë mesfushori kosovar Ilir Nallbani. Ky ndryshim është konstatuar dje në stërvitjen e rradhës të kuqebluve. Ajo është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” dhe për disa minuta është aplikuar një ndeshje kontrolli. Trajneri Bushati ka bërë edhe ndonjë ndryshim tjetër teksa nuk ka luajtur Dragoi ngaqë ka patur një dëmtim dhe është ruajtur. Në vend të tij ka luajtur Bardulla I cili është spostuar pra duke luajtur në të djathtë ndërsa në vend të tij ka luajtur malazezi Deliç, edhe ky I rikthyer pas një dëmtimi.
Formacioni. Në stërvitjen e djeshme, në portë ka qenë si gjithnjë Vujadinoviç që është I padiskutueshëm për të luajtur. Në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndonëse ka një dëmtim ka qenë Smajli, në qendër të mbrojtjes dyshja Semina- Belisha ndërsa në krahun e majtë Begaj. Në mesfushë, ka luajtur në qendër në rolin e shkatërruesit kapiteni Beqiri e para tij Tafili. Në krahun e majtë ka qenë Hajdari ndërsa në të djathtë këtë herë Bardulla. Mesfushor I avancuar ka luajtur Deliç ndërsa në majë të sulmit Gjini I cili do të jetë titullar këtë herë ngaqë mungon për arsye kartonash Rexha. Në këtë mënyrë, tashmë për formacionin që do luajë të shtunën në Gjirokastër ka vetëm një dilemë: atë se kush do ulet në stol pas rikthimit të Dragoit. Bardulla apo Deliç? Kjo duhet parë në ditët në vazhdim dhe do jetë zgjedhja e trajnerit Bushati ajo që do vendosë. Për disa minuta në ndeshjen e djeshme të kontrollit është aktivizuar edhe mbrojtësi Antonio Marku në krahun e djathtë të këtij reparti në vend të Begajt. Tashmë duhet parë nëse do kemi ndonjë lëvizje edhe në këtë pozicion apo jo por me shumë gjasa, trajneri do të vazhdojë t’I besojë vlonjatit..
Gjergj KOLA