Nga Endri ÇINARI

Vllaznia e futbollit pritet të kthehet pasditen e sotme në fushën stërvitore. Kuqeblutë pas 2 ditësh pushim, ku shijuan edhe festat e fundvitit do i kthehen përgatitjeve të zakonshme. Në këtë mënyrë duke zhvilluar seancën e parë stërvitore për vitin 2025. E duke nisur kështu gjysmën e dytë të edicionit 2024-25 të Superiores.

Ajo që kënaq në kampin shkodran në këtë rikthim të ekipit është edhe rikueprimi i futbollistëve. Kështu emra si Gurishta, Juriç, Stojanoviç, Jago apo edhe Deliu e Spahija duket se i kanë lënë pas lëndimet.

Dhe pritet të zhvillojnë të plotë dhe me intensitetin e zakonshëm seancën stërvitore. Po ashtu edhe Krymi e Qato në startin e vitit 2025 do kthehen shumë shpejt pranë ekipit.

E ndërsa të vetmit nga të dëmtuarit e kësaj periudhe që ende nuk janë të gatshëm janë Matouti dhe Gruda. Me dy sulmuesit që duan ende edhe pak kohë për tu rikuperuar në 100% të formës së tyre.

Ditën e sotme po ashtu për herë të parë në stërvitje me ekipin kuqeblu pritet të dalin edhe Rrepaj dhe Mensah. Mbrojtësi dhe sulmuesi që u afruan në rradhët e shkodranëve para përfundimit të vitit 2024.

Ku pavarësisht lajmeve që qarkulluara për një bllokim të merkatos së shkodranëve, ende s’ka asnjë konfirmim zyrtar nga ana e klubit kuqeblu. E ndërsa ditën e sotme do shikohet nëse dy futbollistët e afruar së fundmi, do jenë apo jo pjesë e stërvitjes së skuadrës kuqeblu.