Pas një javë qëndrimi në juglindje të vendit, Vllaznia i ka dhënë fund stërvitjeve atje dhe mbrëmjen e së shtunës është rikthyer sërish në Shkodër, ku do të vijojë me përgatitjet e fundit për nisjen e sezonit të ri.

Java që nis nesër duhej të ishte java e ndeshjes me Apoloninë dhe përgatitjet do të fokusoheshin pikërisht tek ajo, por tashmë planet do të bëhen ndryshe sepse FSHF sëbashku me Ligën Profesioniste dhe me miratimin e 9 klubeve, kanë vendosur që kampionati i ri të mos nisë më 12 shtator.

Kjo do të bëjë që edhe te Vllaznia të ndryshojnë planet. Stafi teknik tashmë duhet të fokusohet sërish tek rritja e parametrave fizikë por edhe harmonizimi sa më i mirë i lojës së ekipit.

Për momentin ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisin ndeshjet zyrtare dhe kjo mbase do t’i japë mundësinë Vllaznisë që të zhvillojë edhe ndonjë miqësore tjetër gjatë javës së ardhshme.

Mundësisht ajo duhet zhvilluar në Shkodër, për t’u përshtatur sa më shpejt me stadiumin ku do t’i luajnë ndeshjet kuqeblutë dhe po ashtu, për t’u dhënë mundësinë edhe tifozëve shkodranë për ta parë skuadrën e tyre nga afër sepse deri më tani, vetëm ndaj Erzenit kanë patur mundësinë t’i shohin kuqeblutë.
www.shkodrasport.com