Kjo javë ka qenë e suksesshme për ekipin e volejbollit të femrave të Vllaznisë. Skuadra shkodrane ka arritur të fitojë, duke luajtur ndeshjen e saj në Shkodër.
Ekipi i të rriturave të Vllaznisë ndeshjen e rradhës e ka luajtur në pallatin e sportit të Shkodrës “Qazim Dervishi” ndaj Lushnjës dhe e ka fituar atë me rezultatin 3-0. Volejbollistet kuqeblu i kanë fituar tre setet në shifrat 25-19, 25-21, 25-17 dhe kështu krejt ndeshjen me rezultatin 3-0.
Në këtë mënyrë, vajzat shkodrane e kanë lënë pas humbjen e javës së kaluar ndaj Skënderbeut dhe shohin përpara, teksa do të synojnë deri në fund të jenë në mes ekipeve pretendente.
Në këtë sukses, përpos volejbollisteve në fushë, padyshim që kanë meritën e tyre edhe trajnerët Dorjan Tafa dhe Ferdinand Bardeli e poashtu edhe presidenti Florian Zekja, nën drejtimin e të cilit, shoqata e volejbollit të femrave Vllaznia, ka nisur një epokë të re.
Krijimi i shoqatës ka bërë që shumë gjëra të ndryshojnë në funksionimin e këtij ekipi dhe kjo po reflektohet edhe në rezultatet që ekipi po arrin në fushën e lojës. /Maringlen ZHIVANI/
Vllaznia-Lushnja 3-0 (25-19, 25-21, 25-17)
Vllaznia: Kiri, Tuci, Mikopula, Kuçi, Erkoçi, Beci, Kodra, Picaku, Kodra, Zhivani, Bardeli, Ballçiti Tr: Dorjan Tafa