Presioni për të marrë pikë në ndeshjen e nesërme ndaj Teutës, është i madh në kampin e Vllaznisë, teksa tri pikët janë kthyer në një detyrim për të besuarit e Josës, të cilët vijnë me një moral disi më të ulët pas humbjes në Kupë ndaj Flamurtarit.

Kështu, duket se pas humbjes në Kupë, në Shkodër është rikthyer disi tensioni dhe skuadra ka rënë nga ana morale, sepse pësuan një humbje me përmbysje të rezultatit. Në Shkodër e kanë parë problemin më shumë në aspektin psikologjik, sepse futbollistët nuk i mungojnë.

Për këtë përballje, për trajnerin Josa, një armë plus është rikthimi i mbrojtësit malazez, Darko Bulatoviç, i cili ka kaluar dëmtimin që e la jashtë fushës së lojës në ndeshjen ndaj Kastriotit. Po ashtu është rikuperuar edhe mesfushori Elvedin Heriç.

Ata që shqetësojnë më shumë Josën janë dyshja e mesfushorëve kosovar, Latifi dhe Boshnjaku, të cilët po kalonin një formë të mirë, por që në ndeshjen me Kukësin dhe Egnatian, lanë fushën të dëmtuar dhe kanë munguar më pas në stërvitje. Me shumë gjasa, të dy mesfushorët kosovar do jenë gati javën e ardhshme ndaj Partizanit.
Maringlen ZHIVANI