Në kampin shkodran nuk ka qetësi. Në fillim, në ndeshjen e parë me Skënderbeun, problemi kryesor ishte në repartin e mbrojtjes me mënyrën si u pësuan golat. Pas asaj ndeshje, mbrojtja u rregullua teksa në pesë ndeshjet e rradhës u pësua vetëm një gol. E nëse u rregullua mbrojtja, problemi kaloi tek sulmi ngaqë lojtarët e këtij reparti nuk po shënonin asnjë gol në gjashtë javë kampionat. Ndërkohë, në ndeshjen e fundit, atë të luajtur në Berat me Tomorin, gjërat sërish morën rrjedhë tjetër. Sulmi u përmirësua disi teksa shënoi sulmuesi Hysa pas shumë javësh e po ashtu pati edhe një gol tjetër nga Smajli megjithatë “defekti” tashmë u spostua në mbrojtje. Të dy golat janë shënuar pas rrëmujave në zonën e Vllaznisë. Çka do të thotë se në mbrojtjen kuqeblu sërish hyjnë “me sharabajkë” siç thotë i mirënjohuri Ymer Striniqi. Por ajo çfarë konstatohet nga kjo ndeshje, është edhe fakti se disa prej futbollistëve të formacionit kanë rënë pre e presionit të bërë nga tifozët vendas duke “humbur” në fushë pastaj. Gabimet e bëra në lojën mbrojtëse gjithsesi duhen evidentuar nga stafi drejtues sepse po e penalizojnë jo pak skuadrën e cila sot detyrimisht duhej të kishte disa pikë më tepër në renditje nëse nuk do kishin ndodhur këto gabime.
www.shkodrasport.com