Opinion

Nga Fatmir Paçrami

Vllazninë gjithmonë lojtarët e rinj e kanë ba. Jo më kot, është thanë që Shkodra prodhon talente. Këto vitet e fundit kanë ardhur shumë futbollistë të huaj apo dhe nga rrethet e tjera të vendit. Vllaznia nuk ka shumë nevojë për kaq lojtarë. Sigurisht që trajneri Vata po bën një punë të mirë me promovimin e këtyre lojtarëve të rinj por të mos harrojmë se duhet një gërshetim i këtyre lojtarëve me ata më të vjetrit. Vetëm duke e bërë mirë këtë gjë, mund të ketë sukses Vllaznia.Rudi Vata besoj se në fazën e dytë do të arrijë ta bajë shumë mirë këtë gjë. Sivjet është e vështirë të pretendohet për vendet e para, sepse disa skuadra janë larg me pikë por unë kam shumë besim se ecuria do jetë e mirë në këtë fazë, madje mund t’i afrohemi shumë kreut. Sivjet nëse rrezikohet pak me këta të rinjtë, do veprohej mirë në mënyrë që vitin e ardhshëm të kemi boshtin e skuadrës me këta futbollistë. Do arrinim kështu të mendonim edhe për të ardhmen e Vllaznisë edhe për disa vite të tjera dhe mbi të gjitha, me këta djem, do ktheheshim në futbollin tradicional shkodran sepse me të thanë të drejtën na ka marrë malli të shohim futbollin e zakonshëm të Vllaznisë.Unë kam shumë besim edhe tek trajneri që ka ardhur sepse Rudi Vata në rradhë të parë ka konceptin dhe koncepti është themeltar në trajnimin e futbollistëve. Ai ka një përvojë të madhe edhe jashtë vendit dhe mendoj se ka për të ba gjana të mira në drejtimin e Vllaznisë. Pozitive është edhe mbështetja që po i jep Bashkia ekipit të futbollit. Ajo po jep lekët megjithatë lekët nuk janë gjithçka. Drejtuesit e saj duhet të jenë më pranë sportit në të gjitha drejtimet por e rëndësishme është që po bën më të mirën për Vllazninë në këto momente.