Prej ditësh po flitet për mundësinë e bashkimit të sulmuesit Rubin Hebaj me ekipin e Vllaznisë megjithatë ende asgjë nuk është konkretizuar.

Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se arsyeja pse ka ndodhur kështu është mosarritja e akordit financiar me lojtarin.
21 vjeçari ka kërkesa më të larta financiare se ajo çfarë i ofron Vllaznia dhe për këtë arsye, ende nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët dhe një akord mes palëve.

Ndoshta kjo mund të ndodhë në ditët e ardhshme por ajo çka penalizon është koha në dispozicion. Lojtari po zhvillon vetëm stërvitje individuale dhe kjo e ka lënë prapa në aspektin fizik sepse kuptohet që kampionati nis pas vetëm dy javësh dhe nuk ka kohë për të
kapur ritmin.

Megjithatë, nga sa bëhet e ditur drejtuesit kuqeblu nuk kanë qëndruar pasiv dhe po bisedojnë edhe me sulmues të tjerë, kryesisht të huaj. Njëri prej tyre madje thuhet se do t’i bashkohet skuadrës javën e ardhshme.

Vllaznia po vuan mungesën e një sulmuesi cilësor dhe për këtë arsye, ardhja e një futbollisti për këtë repart duket e shumëpritur sepse do të rregullonte shumë gjëra edhe në aspektin ofensiv të lojës së kuqebluve.
© shkodrasport.com