Opinion nga Redan BUSHATI
Nga gjysma e parë e muajit korrik, atehërë kur edhe Vllaznia nuk i kishte realizuar të gjitha blerjet e saj, pra ishte në tre-katër blerjet e para, opinioni im «Dështimi i pritshëm i Vllaznisë», i cili në thelb trajtonte ecurinë e ekipit, kualitetet e tij dhe pritshmërinë për këtë edicion, nuk u prit aq mirë nga mjaft sportdashës shkodranë.
Pas reagimeve të disave, mora kurajon t’i përgjigjesa se “të thuash të vërtetën nuk do të thotë të mos duash Vllazninë”. Sot opinioni im më jep të drejtë, që edhe pse Vllaznia do të jetë pretendente për titull këtë sezon, ajo nuk do të mund ta marrë atë, titullin kampion, pasi nuk ka kualitetet e kundërshtarëve si Skënderbeu, Tirana apo Flamurtari, e gjithashtu krijimi i një organike tërësisht të re ka problemet e veta të ndërlidhjes etj. Kjo jo duke u nisur vetëm nga humbja e ndeshjes së parë, pasi në fund të fundit një ndeshje është ajo, porse ekipi ka mjaft probleme në repartin e mbrojtjes, po aq në mesin e fushës dhe pak «shije» goli në sulm. Kështu, edhe pse e duam Vllazninë kampione, ajo sivjet nuk do të jetë, të paktën kështu gjykoj duke parë grupin e lojtarëve dhe mënyrën sesi luajtën ato përballë kampionëve në fuqi të vendit, Skënderbeu.