Ndonëse u duk se drejtuesit e Vllaznisë hoqën dorë nga ideja e tyre për gjetjen e një portieri tjetër, në fakt nuk ka ndodhur kështu. Pasditen e djeshme ka mbërritur në Shkodër portieri me origjinë korçare por i rritur në Greqi, Ilia Melka. 27 vjeçari ka luajtur në sezonin e fundit në kategorinë e dytë të shtetit helen me ekipin e Panserraikos teksa ka qenë në fushë në 18 ndeshje.
Ai paraditen e sotme ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me kuqeblutë dhe po ashtu do të luajë edhe në miqësoren e nesërme me Deçiç. Do të jetë pikërisht kjo miqësore që do të vendosë për fatin e tij. Nëse bind, atëherë do të bëhet pjesë e Vllaznisë megjithatë edhe pak orë duhet pritur për të parë se çfarë do të ndodhë. Kujtojmë që ky portier këtë verë ka qenë në provë edhe tek Skënderbeu e Kukësi por qëndrimi sërish me këto skuadra i Shehit dhe Koliçit, ka bërë që atij “t’i mbyllet dera” dhe tashmë po sheh nëse do t’i hapet tek kuqeblutë.
© shkodrasport.com