Ishte menduar që të shtunën të zhvillohej një ndeshje miqësore nga ekipi i Vllaznisë ngaqë nuk do të luajë ndeshjen e kampionatit ndaj Teutës meqë ajo është spostuar për të mërkurën e ardhshme, por ajo nuk do të bëhet. Arsyeja është se disa prej lojtarëve të kësaj skuadre po shfaqin probleme dëmtimesh ditët e fundit dhe për këtë arsye, stafi teknik ka menduar që më mirë të zhvillojë një seancë të zakonshme stërvitore. Ajo që po shqetëson trajnerin Grima ka të bëjë padyshim dëmtimi edhe i disa lojtarëve të tjerë. Kështu përveç Arbrit, Kdouh, Pjeshkës e Sozës, dy ditët e fundit edhe tre futbollistë të tjerë kanë shfaqur probleme. Bëhet fjalë për Bardullën, Krymin dhe Hakajn. Duket disi e pakuptimtë kjo gjë por ky është realitet.

Me kaq shumë probleme sigurisht që askujt nuk i bie ndër mend të zhvillojë miqësore për të testuar veten sepse kjo mund të ketë pasoja edhe më të mëdha. Përveç lojtarëve të mësipërm, në stërvitje këto ditë mungon edhe Gurishta sepse është i grumbulluar me kombëtaren Shpresa. Kjo ka bërë që numri i lojtarëve që stërvitet rregullisht të ngushtohet në një rreth të vogël prandaj dhe nuk do ketë miqësore këtë fundjavë. Vllaznia përveç problemeve të shumta që ka, tashmë ka edhe një shqetësim jo të vogël, atë të dëmtimeve të shumta dhe kjo i ndodh para ndeshjes së rradhës me Teutën, ndeshje të cilën patjetër që do i duhet ta fitojë në mënyrë që të rregullojë pozitat në renditje sepse ndryshe “hallet” do shtohen edhe më shumë.

© shkodrasport.com