Vllaznia në basketboll për meshkuj duket e vendosur më shumë se kurrë për t’u shpallur kampione e vendit këtë sezon. Ndonëse ajo udhëheq bindshëm në renditje, ndonëse e ka skuadrën e kompletuar me lojtarë cilësorë, ajo ka bërë një tjetër goditje në merkato. Pikërisht dje presidenti I këtij ekipi Sokol Dibra dhe trajneri Bledar Gjeçaj, kanë arritur marrëveshjen me basketbollistin tiranas Bruno Daliu dhe paraditen e sotme eshte firmosur kontrata me te. Ky I fundit deri para pak ditësh ka qenë pjesë e ekipit Bashkimi të Prizrenit dhe tashmë e ka mbaruar kontratën me të. Sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Basketbollit, sportistët që vijnë nga jashtë vendit, mund të federohen deri më 31 mars dhe shkodranët duke e shfrytëzuar këtë rregullore, kanë bërë marrëveshjen me Daliun. Ai është një basketbollist dymetrosh që luan si qendër dhe ndonëse Vllaznia duket e plotësuar në këtë pozicion, sërish drejtuesit e saj kanë ecur me idenë e asaj që më mirë ta marrin këtë basketbollist ata sesa kundërshtarët e tyre, Kamza Basket apo Tirana. Daliu është 29 vjeç dhe gjatë karrierës së tij është shpallur edhe kampion me ekipin e Tiranës. Me marrjen e këtij basketbollisti, ekipi shkodran është forcuar tashmë edhe më shumë duke qenë I gatshëm për nisjen e ndeshjeve të plej- ofit ku patjetër që do të kërkojë fitimin e titullit kampion. Ky do ishte trofeu I dytë për të, pas fitimit të Kupës së Shqipërisë gjatë muajit dhjetor të vitit që lamë pas.
Gjergj KOLA