Ndodh edhe kështu. Përplasen Skënderbeu dhe Flamurtari dhe përfiton Vllaznia. Kështu mund të cilësohet ajo çfarë po ndodh aktualisht në futbollin shqiptar. Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së i mbledhur dje në drekë për të analizuar ndeshjen Skënderbeu- Flamurtari të luajtur ditën e martë dhe të shoqëruar me shumë incidente, ka vendosur të dënojë fushën e korçarëve dhe njëkohësisht t’i zbresë 3 pikë vlonjatëve. Këto dy ekipe, janë rivalet e mëdha të Vllaznisë në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë dhe prandaj shkodranët tashmë janë të favorizuar së tepërmi për të kaluar në turin tjetër të kupës. Para ndeshjes së të dielës që do luhet në Vlorë, Flamurtari ka minus 3 pikë në renditje dhe mjafton një barazim i Vllaznisë në këtë ndeshje për t’i dhënë fund ndoshta gjithçkaje. Nga ana tjetër, Vllaznia është favorizuar edhe nga dënimi prej 8 ndeshjesh i fushës së Korçës, që do të thotë se ndeshja e kthimit e kupës nuk do luhet në Korçë por në një fushë asnjanëse.Kësisoj kuqeblutë janë më të favorizuar se kurrë pikërisht në momentin kur u duk se ata kishin pak shpresa për të kaluar në gjysmëfinale të kupës. Madje edhe publikisht trajneri Vata deklaroi se skuadra e tij nuk ishte e favorizuar në krahasim me Skënderbeun dhe Flamurtarin. Por pas vendimeve të djeshme të Komisionit të Disiplinës me plot gojën mund të thuhet se Vata dhe Vllaznia kanë qenë me fat. Ata tashmë e shohin veten edhe më afër kalimit në gjysmëfinale. Drejtuesit shkodranë megjithatë nuk duan të merren shumë me heqjen e pikëve Flamurtarit pikërisht në ndeshjen ndaj tyre. Për ta, është njëlloj si më parë pavarëssiht se njëri nga kundërshtarët e tyre tashmë ka tre pikë më pak në renditje. Drejtuesit kuqeblu nuk kanë patur fare dëshirë të shprehen për një çështje të tillë por janë mjaftuar duke thënë: “Për ne njëlloj është. E vlerësojmë ndeshjen me Flamurtarin njëlloj si më parë. Nëse nuk arrijmë të mbledhim pikët e duhura, sërish nuk jemi të kualifikuar”. Kuptohet që një deklaratë e tillë është edhe “politike” për të mos u gëzuar para kohe. Normalisht që duhet vepruar ashtu sepse të mendosh se je kualifikuar tashmë që Flamurtarit I janë zbritur 3 pikë dhe Skënderbeu do luajë 8 ndeshje jashtë, është paksa e parakohshme. Trajneri Vata me siguri që do të tregohet profesionist I vërtetë edhe në këtë drejtim për ta motivuar ashtu siç duhet skuadrën në këtë pragndeshje. Ai e ka shprehur hapur pikësynimin për të marrë pikë në çdo fushë ku luan, qoftë kjo edhe ajo e nesërmja e Vlorës. Ballafaqimi me Flamurtarin do të shërbejë për të parë edhe Vllazninë e vërtetë në fushë. Vata mendon se skuadra e tij aktuale është shumë më e fortë se ajo që ka patur në dispozicion deri në fund të dhjetorit. Ndoshta jo nga emrat por nga përgatitja, nga serioziteti me të cilin është punuar dhe shumë gjëra të tjera. Edhe deklarata e tij se “Vllaznia nuk është pretendente në kupë”, ka qenë shumë kuptimplote për t’I lënë futbollistët e tij larg presionit. Shumë prej tyre janë të rinj, këta të huajt që kanë ardhur ende nuk janë ingranuar mirë dhe për rrjedhojë, kjo është zgjidhja ideale. Por, e gjithë kjo duhet shoqëruar me lojë të mirë dhe mbi të gjitha me rezultat positiv në Vlorë, në mënyrë që hapi I kualifikimit për në gjysmëfinale të hidhet që atje.
Gjergj KOLA