Opinion nga Senad NIKSHIQI
Sa e bukur Vllaznia me Shkodranët! Kjo është shprehja që kam parë e lexuar kudo pas përfundimit të sfidës Vllaznia – Flamurtari. Nuk është çështja se u fitua një ndeshje ndaj një skuadre kryesuese. Po ashtu nuk është çështja se ashtu si Teutën e Tiranën, Vllaznia ndal edhe Flamurtarin. Edhe pse kjo ka rëndësinë e saj sepse tregon shpirtin luftarak të kësaj skuadre që gjithmonë e ka patur, më shumë rëndësi kanë futbollistët që prodhon kjo skuadër. Pa mohuar sakrificën dhe meritën e tjerëve, vijojnë të mbeten në qendër dy shkodranët Arsen Hajdari e Sindri Guri. Për Hajdarin tashmë është e disata ndeshje që po shkëlqen duke u kthyer në futbollistin më të rëndësishëm të ekipit. Jo vetëm se shënoi golin e parë në mënyrë spektakolare por edhe për kilometrat e pafund të tij gjatë gjithë gjatësisë së fushës së blertë në “Loro Boriçi” dhe shpirtin e lartë të garës. Shpresojmë që ata që se kanë dashur më përpara në skuadër (drejtues të lartë të ekipit) sot të jenë penduar dhe madje ti kërkojnë edhe falje këtij djali që nuk e kanë pranuar më përpara në ekip për arsye banale që s’dua ti them sepse i dini fare mirë. I dini sepse ndoshta jo të gjithë por shumë nga ju mund t’ju ketë rënë rasti të provojnë me të afërmit tuaj për të çuar në skuadrën e parë një futbollist që edhe pse e meriton e dini se çfarë ndodh deri në momentin kur luan. Stërgjatet shumë por ai që këmbëngul dhe e meriton e gjen rrugën e tij, siç është rasti i Hajdarit. Për ta kaluar këtë pjesë të pabukur sepse sot Vllaznia fitoi dhe kthesa pozitive është gjë e mirë, kuqeblutë me këto lojtarë të rinj tashmë në këtë sezon të dështuar po përfitojnë shumë për sezonin e ardhshëm. Ky të paktën është minimumi dhe e vetmja anë pozitve e skuadrës së këtij sezoni. Hajdari nuk është i vetmi. Në të njëjtën linjë është edhe shtatlarti Guri. Bjondinët duket se janë me fat dhe nuk do i mungojnë Vllaznisë. Është bukur edhe ti shohësh. Pas Vajushit një vit më parë, duket se do ketë një trashigmtar të mirë. Edhe ai bjond, edhe ai i talentuar, Sindri Guri. Për të pas paraqitjes shumë të mirë në transfertë me Tiranën, edhe ndaj Flamurtarit shfaqi të njëtat vlera. Lojtari që vjen nga akademia “Vllaznia”, pjesë e padiskutueshme edhe e Kombëtares së moshave, pavarësisht një rasti të humbur, loja e tij ishte e mirë. Pozicional në fushë, i fuqishëm, me besim në vete dhe pa gabime në lojën e tij. Bashkë me Hajdarin krijojnë një dyshe simpatike që i duhet Vllaznisë dhe shumë shpejt do ti dhurojë këtij ekipi suksese. Ndërkohë që akoma nuk është në formën e tij më të mirë Karakaçi pas dëmtimit të gjatë që kaloi. Shumë shpejt edhe ai do jetë në nivelin e kërkuar sepse para dëmtimit e ka vërtetuar këtë gjë. Nga ana tjetër për ato pak minuta justifikoi besimin e trajnerit Vata një tjetër futbollist i ri, Dema. Të katër këta, por jo të vetmit, bashkë me eksperiencën e Smajlit, kapiten Belishës, Vujadinoviç, Gocaj e ndonjë tjetri, nëse administrohen mirë nga drejtuesit aktual të Vllaznisë, sezonin e ardhshëm padyshim që do të na dhurojnë një Vllazni pretendente. Dua ta uroj skuadrën jo vetëm për fitoren me vlonjatët por edhe për shpirtin e lartë, ambicien dhe talentin që e venë në shërbim të ekipit të futbollistëve si Hajdari, Guri, Dema e Karakaçi si të vetmit që mund ti rikthejnë Shkodrës lavdinë e humbur. Talentin e kanë, tani kanë nevojë për mbështetje, përkujdesje, administrim profesional si e vetmja rrugë për ta dërguar Vllazninë sërish në top listën e futbollit në Shqipëri. Nuk kemi nevojë për Vuk, Moreno e të tjerë që nuk e kanë të qartë se kush është Vllaznia dhe se çfarë do të thotë të luash me këtë skuadër, kemi nevojë për këta djem shkodranë. Mjafton të zhvillohet në mënyrë të shëndoshë talenti i tyre dhe padyshim Vllaznia do shkëlqejë. Vetëm shkodranët mund ta bëjne Vllazninë. Historinë kam dëshmitare!