
Në stërvitjen e djeshme të kuqebluve ka rënë në sy edhe prania e një sulmuesi malazez. Bëhej fjalë për Xhorxhe Cetkoviç. Ai I është sugjeruar drejtuesve të Vllaznia nga menaxherë të ndryshëm por për të ka ndërhyrë edhe portieri Vujadinoviç që e njeh mirë. Pas kësaj, ai ka mbërritur në Shkodër dhe paradreke menjëherë është bërë pjesë e skuadrës në stërvitje. Trajneri Canaj e ka aktivizuar në pjesën e dytë të ndeshjes së kontrollit zhvilluar ndaj ekipit të të rinjve. Gjatë 45 minutave që ka qenë në fushë, Cetkoviç ka shënuar një gol por ai nuk ka mjaftuar për të dhënë një mendim pozitiv për të. Stafi drejtues ka shprehur mendimin se 30 vjeçari malazez ka të dhëna të mira por është parë lehtësisht se nuk ka qenë në formën më të mirë fizike. Kjo gjë mund të kushtëzojë qëndrimin e tij të mëtejshëm tek Vllaznia sepse kuqeblutë nuk mund të presin që ai të kapë formën sepse kampionati I ri është në prag. Gjasat janë që Cetkoviç të qëndrojë edhe të hënën ose të martën në stërvitje derisa të jepet vendimi përfundimtar për të megjithatë me shumë gjasa, ai nuk do të jetë pjesë e kësaj skuadre në sezonin e ri. Stafi drejtues e ka dhënë vendimin e tij tashmë.
Formacioni
Në seancën e djeshme që është shoqëruar me një test kontrolli fillimish Brenda- përbrenda skuadrës dhe në pjesën e dytë përballë ekipit të të rinjve, trajneri Canaj ka provuar sërish të ndryshojë diçka në formacionin bazë të skuadrës. Kështu në portë padiskutim që do të jetë Vujadinoviç ndërsa në mbrojtje ka patur sërish lëvizje. Beqiri ka luajtur përsëri në të djathtë ndërsa në të majtë këtë herë ka qenë Baci I cili duket se I ka lënë pas problemet shëndetësore që ka patur. Ndryshime edhe në qendër të mbrojtjes teksa këtë herë krahas Sykajt nuk ka qenë Kraja por Semina. Me shumë të ngjarë kjo katërshe do të luajë edhe në ndeshjen e parë të kampionatit me Flamurtarin. Para mbrojtjes ka qenë e vendosur sërish treshja e përbërë nga Gocaj, Bardulla dhe Ramadani. Ky I fundit ende nuk po paraqet atë çfarë pritej prej tij dhe jo më kot në testin e djeshëm është zëvendësuar nga Tafili. Kjo duket dilema e vetme në këtë pozicion. Treshja që luan më përpara, e përbërë nga Shtubina, Hajdari dhe Gjini në majë, për momentin nuk ka ndryshuar dhe do të jetë e tillë gjithnjë nëse nuk vjen ndonjë sulmues më cilësor. Gjërat kësisoj kanë ardhur duke u qartësuar. Trajneri Canaj thuajse e ka përvijuar formacionin bazë me të cilin do të luajë në ndeshjen e parë të kampionatit.
Gjergj KOLA
Trajneri Canaj shumë rigoroz në stërvitje
Ajo që vërehet gjatë kësaj periudhe që Agim Canaj është në krye të Vllaznisë, ka të bëjë me atë se është shumë rigoroz në punë. Skuadra ka disiplinë dhe ndonëse stërvitja ka filluar me shumë vonesë, falë një plani të hartuar me kujdes, ka bërë që gjërat të shkojnë ashtu si duhet dhe forma e futbollistëve duket në nivelin e duhur një javë para nisjes së kampionatit. Trajneri vlonjat ruan marëdhënie të ftohta me futbollistët teksa kërkon rregull dhe përkushtim në stërvitje duke I dhënë hakun secilit prej tyre. Jo më kot, sot janë disa futbollistë të cilët mendohej të ishin titullarë, që nuk janë të tillë. Kjo ngaqë ka të tjerë të cilët po punojnë më mirë. Ndoshta dikush ankohet për këtë rigorozitet të trajnerit megjithatë ky duket se është çelësi I suksesit të punës së deritanishme.